Edhe Rusia e dënon ofensivën turke, e quan të papranueshme

  • 15 October 2019 - 14:32
Edhe Rusia e dënon ofensivën turke, e quan të papranueshme

I dërguari i Kremlinit për Sirinë, Alexander Lavrentiev, e quajti të papranueshme ofensivën e ushtrisë turke në pjesën verilindore të Sirisë dhe mohoi se Moska ia ka hapur rrugën Turqisë paraprakisht për këto sulme.

Emisari rus i bëri këto komente pasi Turqia i injoroi sanksionet e reja nga Shtetet e Bashkuara dhe i vazhdoi sulmet në Siri në kohën kur ushtria siriane, e përkrahur nga Rusia, hyri në njërin nga qytetet më të kontestuara.

Kur u pyet se a ka pasur marrëveshje paraprake mes Rusisë dhe Turqisë për këtë operacion, Lavrentiev tha: “Jo. Ne gjithmonë kemi kërkuar nga Turqia që të tregohet e përmbajtur dhe gjithmonë i kemi vlerësuar si të papranueshme operacionet ushtarake në territorin sirian”.

Komentet e këtij diplomati, të cilat dhanë shenjë për rritje të tensioneve mes Ankarasë dhe Moskës, erdhën një ditë pasi Kremlini u ankua se ofensiva turke nuk është saktësisht në pajtueshmëri me integritetin territorial të Sirisë.

“Siguria e kufirit mes Turqisë dhe Sirisë duhet të ofrohet nga dërgimi i trupave qeveritare siriane përgjatë tërë shtrirjes së tij. Për këtë arsye, ne kurrë nuk e kemi përkrahur dërgimin e njësiteve turke atje, e lëre më opozitën e armatosur siriane”, tha Lavrentiev.

Ai gjithashtu konfirmoi se Rusia ka ndërmjetësuar për marrëveshjen mes kurdëve dhe qeverisë siriane, e cila solli marrjen e kontrollit të territorit verior nga trupat qeveritare, shkruan “Reuters".

(Kosova Sot Online)