E dogji të dashurin në gjumë, amerikania dënohet me 60 vjet burgim

  • 15 October 2019 - 15:00
E dogji të dashurin në gjumë, amerikania dënohet me 60 vjet burgim

Një grua amerikane është dënuar me 60 vjet burgim për shkak të një vepre të tmerrshme. Ajo i hodhi benzinë të dashurit të saj kur ai ishte duke fjetur, ia vuri flakën dhe ia mbylli derën e shtëpisë. Kështu, ai vdiq nga flakët.

Michael Gonzales ishte duke fjetur në orët e hershme të mëngjesit pasi e kishte festuar ditëlindjen e 24-t, kur partnerja e tij, Gina Virgilio, e cila atëherë ishte 25 vjeçe, e dogji për së gjalli në shtëpinë e tyre në Alaska të Shteteve të Bashkuara. 

Virgilio kishte ecur 400 metra nga shtëpia deri te pompa më e afërt e benzinës me një shishe të madhe në dorë. Ajo e kishte blerë benzinën me paratë që ia kishte ofruar një person i panjohur, sepse vetë nuk kishte të holla.

Pasi u kthye në shtëpi, ajo e derdhi benzinën në kolltuk dhe në dysheme, u tha në seancën e mbajtur për këtë rast. Ajo e formoi një vijë të benzinës deri te dera e shtëpisë dhe më pas ia vuri zjarrin lëndës së ndezshme.

Kur gruaja kishte vërejtur se i dashuri i saj është zgjuar dhe po kërkonte ndihmë për të shpëtuar nga zjarri, ajo e kishte mbyllur derën dhe kishte vrapuar. Sipas analizave, Gonzales kishte vdekur nga thithja e tymit të dendur.

Shtatë vjet pas incidentit, gruaja u shpall fajtore për vrasje të shkallës së parë dhe u dënua me 60 vjet burgim efektiv dhe dhjetë vjet burgim me kusht pasi ta ketë mbaruar dënimin efektiv, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)