Mediat serbe: Haradinaj ka tërhequr kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

  • 15 October 2019 - 15:56
Mediat serbe: Haradinaj ka tërhequr kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Mediat serbe sot kanë publikuar një dokument me të cilin thuhet se kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar Asamblenë e INTERPOLIT se Kosova po e tërheq kërkesën për anëtarësim.

Sipas këtij dokumenti të publikuar thuhet se Haradinaj e ka arsyetuar këtë njoftim me faktin se Kosova është gjendur në një situatë të zgjedhjeve të parakohshme.

“Duke pasur parasysh se në Kosovë më 6 tetor janë mbajtur zgjedhjet parlamentare, ju lusim me respekt që kërkesën tonë për aplikim për anëtarësim ta shtyni deri në seancën e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit”, thuhet të ketë  shkruar Haradinaj.

Mediat serbe raportojnë se ambasadorit të Serbisë në Paris i është dorëzuar nota me të cilën Ramush Haradinaj tërheq kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Kjo notë ka arritur sot pak pas orës 15.

Sipas paralajmërimeve, kërkesa e Kosovës është dashur të procedohet në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit më 17 tetor dhe në lidhje me kërkesën duhej të votohej dy herësh.

(Kosova Sot Online)