Ministri meksikan: Gjumi natën s’po më zë për shkak të rënies ekonomike

  • 15 October 2019 - 15:57
Ministri meksikan: Gjumi natën s’po më zë për shkak të rënies ekonomike

Ekonomia e Meksikës ende nuk ka hyrë në fazë të recesionit, por qeveria federale po përpiqet ta luftojë ngadalësimin e rritjes ekonomike përmes orientimit të shpenzimeve në infrastrukturë.

Kështu tha ministri meksikan i financave, Arturo Herrera, i cili është zgjedhur në këtë post para pak kohësh. Përndryshe, ai e dha një deklaratë interesante për problemin e vendit, të cilin si duket e ka marrë shumë afër zemrës.

“Kjo gjendje po më lë zgjuar natën. Kemi ngadalësim. Nuk kemi recesion, por edhe rënia e rritjes ekonomike është shqetësuese”, tha ministri i ri i ekonomisë.

Ekonomia e Meksikës është përballur me vështirësi të ndryshme viteve të fundit, përfshirë kërcënimin për taksa nga Shtetet e Bashkuara dhe nivelin e lartë të dhunës dhe krimit nga grupet kriminale.

Vetëm vitin e kaluar, në Meksikë janë vrarë 29 mijë njerëz nga dhuna e shkaktuar nga grupet kriminale të drogës. Kjo shifër paraqet rekord për vendin me siguri të brishtë, por ekziston frika se ky rekord negative mund të thyhet gjatë këtij viti, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)