Gjermania gjykon rojën 93 vjeçe të kampit nazist, e akuzon për 5230 vrasje

  • 16 October 2019 - 14:02
Gjermania gjykon rojën 93 vjeçe të kampit nazist, e akuzon për 5230 vrasje

Një ish-rojë në kampin nazist të përqendrimit, Stutthof, do të dalë para gjyqit në Hamburg të Gjermanisë të enjten në atë që mund të jetë një ndër rastet e fundit të akuzave individuale për Holokaustin famëkeq.

Burri 93 vjeç, i identifikuar nga mediet gjermane vetëm si Bruno D., kishte qenë vetëm 17 vjeç kur ishte bërë pjesë e Batalionit të Vdekjes – SS, i cili e kishte për detyrë ruajtjen e kampit të përqendrimit që ndodhej në pjesën lindore të qytetit polka, Gdansk.

Bruno D. akuzohet se nga gushti i vitit 1944 deri në prill të vitit 1945 ka dhënë ndihmë në vrasjen e 5230 njerëzve. Në këtë shifër përfshihen pesë mijë të burgosur që ishin viktimë e epidemisë së tifos për shkak të mungesës së ushqimit, ujit dhe ilaçeve dhe kushteve të tmerrshme higjienike, 200 njerëz të infektuar me gaz të llojit Zyklon B dhe 30 njerëz të ekzekutuar me një pajisje të ndërtuar veçanërisht për mbytjen e njerëzve me një të qëlluar në qafë. 

Përmes ruajtjes së këtij kampi, prokurorët thonë se rojet e kanë pasur një rol të rëndësishëm në mundësimin e vrasjeve masive në kampin “Stutthof”, ku besohet se janë vrarë rreth 65 mijë njerëz deri më 9 maj të vitit 1945, kur ky vend ishte çliruar nga forcat aleate.

Personi i akuzuar ka bashkëpunuar me hetuesit duke dhënë tetë herë intervistë për ta. Një mjek ka konstatuar se plaku është mendërisht i shëndoshë. Sidoqoftë, gjykata ka vendosur që asnjë seancë të mos zgjasë më shumë se dy orë për shkak të moshës së shtyrë të personit të akuzuar, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)