I kishin detyruar tre persona të votojnë Listën Serbe, iu ngritet aktakuzë

  • 16 October 2019 - 16:08
I kishin detyruar tre persona të votojnë Listën Serbe, iu ngritet aktakuzë

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë, ndaj të pandehurve Zh.D. dhe V.B., për shkak të veprës penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’, nga neni 210 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të cilët gjenden nën masën e paraburgimit që nga data 03 tetor 2019.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Zh.D. dhe V.B., që nga data 26 shtator 2019, deri më 02 tetor 2019, në Kllokot, në fshatin Vërbovc dhe Gërnqar, në vazhdimësi, kanë kanosur të dëmtuarit O.K., S.K. dhe J.K., në atë mënyrë që me veprimet e tyre fillimisht kanë ushtruar presion tek i dëmtuari S.K., ashtu që gjersa ishin në veturë zyrtare, fillimisht e ftojnë për të biseduar, e më pas kërkojnë që të hyjë në veturë pa dëshirën e tij, me qëllim që ta dërgojnë në Kllokot, për të biseduar rreth zgjedhjeve, në mënyrë që të heqë dorë nga partia SLS dhe të kthehet në krahun e partisë së Listës Serbe, me ç’rast i njëjti në momentin kur vetura ngadalëson arrin që të largohet.

Gjithashtu, të pandehurit përmes kanosjes serioze, kanë ushtruar ndikim edhe tek i dëmtuari O.K., që të votojë për partinë Lista Serbe, ku të njëjtit i shkaktojnë shqetësim dhe pasiguri në të drejtën e lirë të votimit.

Në vazhdën e presionit të vazhdueshëm të partisë Lista Serbe ndaj anëtarëve të partisë SLS, nga udhëzimet e të pandehurit Zh.D., të dëmtuarës J.K., pas 36 viteve përvojë pune, me aktvendim i ndërprehet marrëdhënia e punës nga Shtëpia e Shëndetit në fshatin Pasjan.

Me këto veprime, të pandehurit kanë kryer veprën penale të lartshënuar, prandaj prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtor për veprën penale e cila iu vihet në barrë.

(Kosova Sot Online)