Gjykata Themelore në Prishtinë: Një muaj paraburgimi izraelitit të dyshuar për pedofili

  • 16 October 2019 - 17:35
Gjykata Themelore në Prishtinë: Një muaj paraburgimi izraelitit të dyshuar për pedofili

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj shtetasit izraelit ndaj të cilit ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”

Këtë e ka bërë të ditur Gjykata Themelore e Prishtinës përmes një komunikate për media ku ka treguar edhe arsyen e vendosjes së masës së paraburgimit.

“Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri mund të fshihet, të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe me qëllim që të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes, pasi që i pandehuri A.S është shtetas i Izraelit”, bëhet e ditur në komunikatë.

Gjykata bën të ditur se A.S që nga data 13 tetor e deri me 14 tetor ka shpërndarë pornografi për fëmijë përmes një softueri kompjuterik.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.S që nga data 13.10.2019 e deri më datë 14.10.2019, përmes softverit kompjuterik “E-Mule” ka shpërndarë pornografi për fëmijë, ashtu që i njëjti gjatë kësaj kohe ka shpërndarë 19 video me përmbajtje pornografike për fëmijë dhe disa video të tjera, të cilat i janë zënë në flagrancë nga policia”, thekson komunikata.

(Kosova Sot Online)