Trump reagon pas sulmeve nga kandidatët demokratë

  • 16 October 2019 - 21:54
Trump reagon pas sulmeve nga kandidatët demokratë

Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi të mërkurën sfiduesit e tij demokratë pas debatit të tyre të fundit, duke i quajtur ata “kllounë” të cilët do të dëmtonin rëndë ekonominë.

“Sikurse dhe ju mendoni asnjë nga kandidatët demokratë që pamë dje nuk do të bëhej President i Shteteve të Bashkuara“, shkruante zoti Trump në Twitter pasi 12 pretendentë për të qenë kandidati zyrtar i demokratëve për garën presidenciale kaluan pjesën më të madhe të debatit tre-orësh mes tyre, duke sulmuar punën e zotit Trump. Ata bënë thirrje gjithashtu për ngritjen e akuzave zyrtare për shkarkimin e tij.

“Tashmë ju e shihni se ata nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të kërkojnë shkarkimin krejtësisht të paligjshëm dhe absurd të një prej Presidentëve më të suksesshëm!” deklaroi udhëheqësi amerikan.

Zoti Trump tha se nëse ai humbet zgjedhjet e nëntorit 2020 pas vetë një mandati katër vjeçar ekonomia që ka shënuar rritje rekord sipas tij do të rënohej ashtu si në 1929, nëse siç u shpreh ai ndonjëri prej atyre “kllounëve” do të bëhej President.

12 kandidatët demokratë për president morën pjesë në një debat shpesh të ndezur të martën në Ohajo. Ata shpesh sulmuan presidentin Doanld Trump, por nuk hezituan të kritikonin ashpër edhe njëri-tjetrin për çështje si kujdesi shëndetësor, pabarazia ekonomike, dhe tërheqja e forcave amerikane nga Siria. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjell më shumë hollësi nga Uashingtoni:

Në qendër të debatit të së martës ishte hetimi për procesin e shkarkimit të Presidentit Trump dhe përpjekjet e tij për të bindur Ukrainën të hetonte demokratin, Joe Biden.

Zoti Biden e kishte përgjigjen gati.

“Rudy Giuliani, presidenti dhe banditët e tij e kanë provuar tashmë se po gënjejnë hapur. Tani duhet të përqendrohemi tek Donald Trumpi. Ai nuk do që të jem unë kandidati. Ai po më sulmon sepse e di që nëse marr emërimin, do ta mund pa diskutim”.

Të 12 kandidatët në debat e mbështesin procesin e shkarkimit, përfshirë senatoren nga Massachusetts, Elizabeth Warren që tani ka pothuajse të njëjtën mbështetje si zoti Biden në anketa.

“Përmes procesit të shkarkimit, ne do të garantonim që ky njeri të mos shkelte ligjin vazhdimisht dhe pa pasoja”, tha ajo.

Debati shënoi edhe kthimin e senatorit, Bernie Sanders në fushatë pas goditjes në zemër. Ai paralajmëroi për çështjen e procesit të shkarkimit.

“Po mendoj se do të ishte një katastrofë nëse populli amerikan beson se ne vetëm po merremi me Trumpin dhe po lëmë në harresë 87 milionë amerikanët pa sigurime ose me sigurime të pamjaftueshme”, tha ai.

Senatori nga New Jersey, Cory Booker shprehu shqetësimin se votuesit mund ta shohin si shumë partiak, përpjekjen e procesit të shkarkimit.

“E kuptoj indinjatën që e ndjejmë të gjithë, por duhet ta kryejmë këtë proces në mënyrë të tillë që e bashkon vendin dhe jo që ta përçajë”, tha ai.

Në debat pati këmbime të forta për kujdesin shëndetësor, kontrollin e armëve dhe tërheqjen e befasishme të trupave amerikane nga Siria nga ana e Presidentit Trump.

Vendimi u kritikua ashpër nga kandidati, Pete Buttigieg.

“Masakra në Siri, nuk është pasojë e pranisë amerikane. Është pasojë e tërheqjes dhe tradhtia e këtij presidenti ndaj aleatëve amerikanë dhe vlerave amerikane”.

Edhe senatorja nga Minnesota, Amy Klobuchar e kritikoi vendimin e presidentit.

“Do doja të më shpjegonte se si bëhet Amerika më madhështore duke lejuar masakrimin e kurdëve, të aleatëve tanë, dhe kur Rusia hyn për t’i mbrojtur ata. Dhe do doja të më sqaronte sesi afrimi me Vladimir Putinin e bën Amerikën më madhështore. E bën Rusinë madhështore”.

Debati i ardhshëm i demokratëve mbahet më 20 nëntor në Xhorxha. 


(Kosova Sot Online)