'Ju ka përfunduar mandati por laptopët ish-deputetët ngurojnë që t'i kthejnë'

  • 17 tetor 2019 - 18:19
'Ju ka përfunduar mandati por laptopët ish-deputetët ngurojnë që t'i kthejnë'

Shumica e ish-deputetëve nuk e kanë mbajtur premtimin për kthimin e laptopëve të Kuvendit të Kosovës. Ndonëse kishin premtuar se dorëzimin e këtyre pajisjeve do ta bënin pas zgjedhjeve, 78 prej tyre po vazhdojnë që t’i shfrytëzojnë ende. Afati i fundit për dorëzimin e laptopëve, sipas vendimit të Kryesisë së Kuvendit ishte 10 shtatori.

Një laptop i Kuvendit të Kosovës aktualisht është në duart e një studenti. Ndonëse nuk është deputet, ai po vazhdon që ta përdorë këtë pajisje, të cilën ia ka dhuruar një i zgjedhur i popullit. Bëhet fjalë për laptopin e ish deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK’së, Anton Çunit.

Çuni ka deklaruar para rreth dy javësh për media se laptopin e Kuvendit ia kishte dhuruar një student, por se ishte lajmëruar në Administratë për ta paguar.

“Llaptopin ia kam dhanë një studenti, edhe tash po më vjen keq me ia marr. Por, jam lajmëruar në Administratë për ta paguar”, kishte thënë Çuni.

Por, Çuni nuk është i vetmi që nuk e ka kthyer laptopin e Kuvendit. Sipas Administratës së Kuvendit, as gjysma e deputetëve nuk i kanë kthyer këto pajisje.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi i ka thënë medias se 78 ish-deputetë nuk i kanë dorëzuar ende laptopët, pavarësisht se afati i fundit për kthimin e këtyre pajisjeve kishte qenë më 10 shtator.

Ish deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj kishte premtuar se laptopin do ta kthente pas zgjedhjeve.

I pyetur nga media se pse nuk e ka dorëzuar ende, Selmani ka thënë se nuk e ka parë të rrugës ta dorëzoi laptopin meqenëse është rizgjedhur deputet.

“Nga administrata e Kuvendit na kanë thënë që Laptopët e dorëzuar do t’i marrin prapë deputetët që rizgjidhen.  Unë tani meqë jam rizgjedhur nuk e kam pa të rrugës ta dorëzoj dhe prapë të shkoj ta rimarrë. Po gjithsesi nëse kjo me kërkohet prapë për procedurë atëherë mund ta dorëzoj nesër”, ka thënë Selmani.

Laptopin nuk e ka kthyer ende as ish deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Liburn Aliu.

Aliu i kishte thënë gazetës se këtë procedurë do ta kryente tek më 7 tetor, meqenëse nuk ka fare besim në udhëheqjen e Kuvendit. Por, edhe pas zgjedhjeve, emri i Aliut figuron tek lista e deputetëve që vazhdojnë t’i përdorin këto pajisje.

 “Laptopi që më është dhënë nga Kuvendi është përplot me të dhëna nga puna ime në Kuvend. Unë nuk kam fare besim në udhëheqjen e Kuvendit, njëjtë si në institucionet tjera që çdo ditë abuzojnë me mundësitë që kanë për qëllime fushate. Për këtë arsye, laptopin do ta mbaj të papërdorur deri në përfundimin e fushatës. Të hënën më datë 07 tetor do ta dorëzoj në Kuvend”, kishte thënë Aliu për media.

Arsye interesante për mos dorëzimin e pajisjeve kishte dhënë edhe ish-Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi. Sherifi kishte thënë se nuk ka pranuar ta dorëzojë laptopin në shenjë proteste ndaj vendimit të kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Vendimin e Kryesisë, Sherifi e kishte quajtur të gabuar dhe të padrejtë.

“Jo se më duhet sepse kam edhe kompjuter personal në shtëpi, por nuk e kam dorëzuar si shenjë proteste ndaj vendimit të padrejtë të kryetarit të Kuvendit që ka kërkuar nga deputetët që t’i dorëzojnë laptopët. Ai ka kërkuar që t’i kthejmë për të qëndruar në depo, ndërsa për vete i ka siguruar të gjitha privilegjet, zyrën, infrastrukturën, veturën e kompjuterat”, kishte thënë ai.

Deklaronte se do ta dorëzojë llaptopin vetëm në rast se nuk zgjidhet sërish deputetë.

“Është vendim i gabuar dhe i padrejtë. Është e padrejtë që deputetëve të iu kërkohet që t’i dorëzojnë llaptopët pa e ditur a do të zgjidhet apo jo. Unë kam garur sërish dhe në rast se nuk rizgjidhem sërish, atëherë do ta dorëzoj llaptopin”, kishte thënë Sherifi.

Deputetë të tjerë ishin arsyetuar me mungesën e kohës për shkak të zgjedhjeve ose mos informimin për një vendim të tillë.

Bashkëpartiakja e Kadri Veselit, Flora Brovina i kishte thënë medias se ajo ka shkuar që ta dorëzojë këtë pajisje, por se dera kishte qenë e mbyllur.

“Ka qenë dera e mbyllur kur kam shkuar ta dorëzojë. Pyetje e çuditshme, lexo statusin e deputetit që i mbaron mandati”, ka thënë Flora Brovina.

Për dallim prej Brovinës, të tjerë deputetë kishin deklaruar se nuk kishin pasur kohë as të afrohen tek administrata. Kishin premtuar se dorëzimin e laptopëve do ta bënin pas zgjedhjeve.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevahire Izmaku, i kishte thënë se laptopin do ta kthejë tek mbas zgjedhjeve meqenëse tash është e zënë. Por, edhe pse zgjedhjet kanë përfunduar, ajo vazhdon që ta përdorë laptopin.

“Arsye teknike. Më 7 tetor e kthej, sepse kam shumë gjëra të cilat duhet larguar dhe normalisht jam në fushatë”, kishte thënë Izmaku.

Laptopin nuk e ka kthyer ende as ish deputeti Milaim Zeka. Madje, ai kishte thënë se nuk është në dijeni se ka një vendim për kthim të këtyre pajisjeve teknologjike.

Zeka i kishte thënë se nuk kishte pranuar asnjë kërkesë nga Kuvendi për këtë çështje.

“Sepse asnjë kërkesë nuk e kam nga ana e Kuvendit lidhur me këtë gjë. Përndryshe, kur e kërkon sekretaria, unë e dorëzojë. Kjo nuk është punë e kryesisë, po e sekretarisë”, thuhej në përgjigjet e Zekës.

Në mesin e deputetëve që nuk i kanë kthyer laptopët është edhe e bija e Presidentit Historik, Teuta Rugova.

Media ka provuar të kontaktojë edhe me deputetë të tjerë, që sipas listës së Kuvendit vazhdojnë t’i shfrytëzojnë këto pajisje, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Përveç laptopëve, Veseli kishte marrë vendim edhe për veturat zyrtare që kanë qenë në shfrytëzim nga Grupet Parlamentare.

Në bazë të vendimit, grupeve parlamentare u është lënë mundësia që të merren vesh me KQZ-në që përmes saj t’i paguajnë qiratë e veturave në shfrytëzim, në të kundërtën t’i kthejnë ato në Agjencinë Qendrore të Prokurimit. Të gjitha grupet parlamentare megjithatë i kanë kthyer veturat.

Ndryshe, deputetët e Legjislaturës së Gjashtë e kanë përfunduar para kohe mandatin. Shumica prej tyre kanë kërkuar sërish besimin e qytetarëve për t’u kthyer në Kuvend.

(Kosova Sot Online)