Institucionet publike shpenzuan 8.8 milionë euro për karburante gjatë vitit 2018

  • 18 tetor 2019 - 14:21
Institucionet publike shpenzuan 8.8 milionë euro për karburante gjatë vitit 2018

Sipas Raportit Financiar 2018 të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2018 nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar 8.8 milionë euro për karburante për vetura për të gjitha institucionet publike.

Krahasuar me vitin 2017, këto shpenzime janë rritur për 70 mijë euro (rreth 1%) në vitin 2018. Kjo nënkategori përfshin 4% të shpenzimeve të bëra nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. Nëse e marrim një mesatare prej 1.13 eurosh për litër të karburanteve i bie që stafi politik dhe publik i qeverisë i  kanë shpenzuar rreth 7.8 milionë litra karburante.

Bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, Instituti GAP ka kërkuar të dhëna të personalizuara të shpenzimeve për karburant për vetura për vitin 2018 nga Zyra e Kryeministrit (ZKM) dhe të gjitha ministritë. Kërkesës sonë për karburante i janë përgjigjur gjithsej 13 ministri. Ndërsa Zyra e Kryeministrit dhe tetë ministri tjera nuk kanë ofruar qasje në të dhëna (Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Infrastukturës dhe Transportit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministia e Integrimit Evropian dhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Srategjike) duke mos e respektuar Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

Nga të dhënat e mbledhura, del se brenda vitit 2018, 13 ministri kanë shpenzuar rreth 218 mijë euro për karburante për vetura. Më së shumti ka shpenzuar Ministria për Komunitete dhe Kthim me mbi 28 mijë euro. Pas saj radhitet Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me 4,367 euro më pak.

Për vitin 2018, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ka shpenzuar më së shumti në karburante për vetura me një total prej rreth gjashtë mijë eurosh. Pas tij radhiten, Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri dhe Ministri Mbrojtjes, Rrustem Berisha. Gjithashtu, është me rëndësi të cekët se gjatë vitit 2018 Ministria e Punëve të Brendshme ka pasur tre minista, Flamur Sefaj (janar-mars), Bejtush Gashi (prill-shtator) dhe Ekrem Mustafa (tetor-dhjetor) të cilët në total kanë shpenzuar 3 mijë e 200 euro.

Për vitin 2018 për shpenzimet për karburant më së shumti ka shpenzuar zëvendësministri i Shëndetësisë, Ali Berisha. Pas tij radhiten zëvendësministri i Mbrojtjes, Agim Çeku, zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka.

Ndryshe, në janar të vitit 2008 është hartuar Udhëzimi Administrativ nr.03/2008 i cili përcakton rregullat dhe procedurat për përdorimin ekonomik dhe efikas të automjeteve zyrtare të Qeverisë së Kosovës nga punonjësit e institucioneve publike. Në të shpalosen edhe kategoritë e zyrtarëve që kanë të drejtë të përdorin automjetet zyrtare.

Bazuar në nenin 3 të këtij udhëzimi, kryeministri/ja, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, Sekretar-i/ja i/e Përgjithshëm/e i Zyrës së Kryeministrit dhe shef-i/ja i/e kabinetit të kryeministrit/es lejohen të përdorin automjetet shtetërore për qëllime zyrtare për 24 orë. Ndërsa nëpunësve të caktuar mund t’u lejohet përdorimi i automjeteve zyrtare edhe jashtë orarit zyrtar të punës me vendim të ministrave, me propozim të sekretarëve të përgjithshëm, kryeshefave ekzekutivë apo udhëheqësve më të lartë të organizatave buxhetore të institucionit përkatës.

Për të mbikëqyrur zbatueshmërinë e këtij udhëzimi, u krijua edhe Njësia për Monitorimin e Përdorimit të Automjeteve në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike. Kjo njësi ka për qëllim që të mbajë një regjistër mbi përdorimin e veturave zyrtare nga të gjitha institucionet publike, të mbajë shënime për shpenzimet e karburanteve, riparimeve dhe kilometrave të kaluara për secilin automjet.

(Kosova Sot Online)