Nëna e Astrit Deharit: 3 javë para se ta vrisnin, djali ma ka thënë këtë mesazh

  • 18 October 2019 - 18:05
Nëna e Astrit Deharit: 3 javë para se ta vrisnin, djali ma ka thënë këtë mesazh

Familja e të ndjerit Astrit Dehari së bashku me avokatin e tyre, kanë mbajtur sot një konferencë për media, pasi ka arritur raporti nga Instituti zviceran rreth rastit të vdekjes së djalit të tyre. Megjithatë kanë treguar se ende nuk kanë arritur që ta kenë një kopje të atij raporti, pasi që institucionet e drejtësisë, prokuroria, e ka dërguar nga Prizreni në Prishtinë për përkthim.

Megjithatë Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit, gjatë kësaj konference ka ndarë edhe disa detaje kur është arrestuar djali i saj, dhe një bisedë që ajo pretendon ta ketë pasur me një hetues që i kishte shkuar për t’ia kontrolluar makinën e Astritit në shtëpi pas arrestimit. Sipas saj, ai hetues i kishte thënë se “ E dimë që Vetëvendosje s’ka të bëjë me këtë, por që jemi të detyruar”.

“Me arrestimin e djalit unë e di çka ka ndodhë. Hetuesi në garazh kerrin tu e kontrollu më ka thënë se e dimë që Lëvizja Vetëvendosje s’ka të bëjë me këtë, po na kanë detyru. Kur të doje le të dal ia them në sy”, ka thënë ajo. 

Ndër të tjera, ajo ka thënë 3 javë para se të ndodhte incidenti në qendrën e paraburgimit në Prizren, në një takim që e kishte pasur me Astritin, thotë që djali i saj tashmë i ndjerë t’i ketë thënë se në rast se e telefonon dikush natën dhe i thotë se “Astriti është i sëmurë”, ta dijë që Astritin janë duke e nxjerrë jashtë nga burgu natën.

Ndërkohë thotë se menjëherë pas vizitës së të enjtes, të premten në mbrëmje e ka telefonuar gruaja e Naser Makollit, dhe i ka thënë që Astriti është i sëmurë.

“Tri javë para se me e mbyt astritin në burg. E enjte ka qenë se të enjten kemi shku për vizitë. Nanë nëse vjen naj telefonatë që thonë se astriti është i smut , dije që më marrin më qesin prej burgut. Të premten ka thirrë gruaja e Naser Makollit që e mbyten edhe atë nburg, më ka thënë Astriti është i smutë. Në atë moment e ka marrë vajza telefonin, e u hup vajza, kur i tha se Astriti është i smutë.. kcejke nëpër dhomë.. Oj nanë kanë me na e mbyt Astrititin. E kam në vesh atë fjalë. Tri javë përpara, tha nëse iu thirrë gruaja e Naserit”, ka thënë Xhemile Dehari.

Tutje ajo ka thënë se kanë kërcënuar Astrit Deharin që do ta dërgojnë edhe në Kumanovë, duke qenë se familja e tij e kishte prejardhjen nga Maqedonia.

“I kanë thënë se kanë me e qu në Kumanovë”, ka thënë ndër të tjera Xhemile Dehari.

(Kosova Sot Online)