Rinumërimi i votave, vjen akuza e rëndë: Ky është i gjithë skenari për...

  • 19 October 2019 - 07:35
Rinumërimi i votave, vjen akuza e rëndë: Ky është i gjithë skenari për...

“Nëse koalicioni Nisma-AKR-PD e kalojnë pragun, kjo tregon që mafia-politike ketë masakër të votës e ka bërë që kjo treshe ta kalojnë pragun, në mënyre që ta komplikojnë koalicionin LVV-LDK”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Ndonëse zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan pa ndonjë problem, ku nuk kishte asnjë ankesë nga subjektet politike, me disa vërejtje të vogla nga vëzhguesit vendor e ndërkombëtar, duke e marr vlerësimin final si shembull i shkëlqyeshëm i organizimit të zgjedhjeve demokratike, njolla e zezë mbi këtë proces u vendos gjatë fazës së numërimit dhe regjistrimit të votave në QNR.

Image
Faik Krasniqi

Nga ky proces i përpunimit të rezultateve, doli se edhe në këto zgjedhje ishin komisionerët e partive politike ata që e kriminalizuan përsëri votën e lirë qytetare.

Për shkak të manipulimeve të ndryshme nga komisionerë e kontraktuar nga bosët kriminal të subjekteve politike, për ta abuzuar votën, Komisioni Qendror Zgjedhor në bazë të të dhënave të auditimit të publikuar nga QNR, mori vendim që në 530 vendvotime të shtohet përsëri në verifikim dhe rinumërim të votave në 530 vend votime.

Arsyeja është se është konstatuar gjendje alarmante në mos përputhje të rezultatit të votave, ngase ka me qindra raste kur subjekti nuk fare ka vota, ndërsa kandidatët kanë me dhjetëra e qindra vota.

Gjithashtu raportohet për dhjetëra e qindra raste në të cilat kandidati për deputet ka më shumë vota se vet subjekti e kjo është bërë hetuar në 89 vendvotime.

Po ashtu ka një mal rastesh kur të gjithë kandidatët brenda një subjekti kanë më shumë vota se vetë subjekti politik, dhe ky lloj manipulimi pastaj e çrregullon tërësisht procesin dhe pamundëson vendosjen e secilës votë në vendin e vetë.

Sipas analistit politik, Faik Krasniqi ky lloj manipulimi tregon më së miri se është një numër i madh kandidatësh në listat e partive politike, që ulësen e deputetit e konsiderojnë biznes personal ,dhe jo marrje të obligimit për t’i shërbyer qytetarit të Kosovës.

“Sa herë t'i numërosh paratë me shumën e njëjtë, ose të dalin më shumë ose me pak, por prapë se prapë është shuma e njëjta. Ato vota janë, nuk pjellin më shumë. Vjedhja e votës është bërë brenda partive. Kjo tregon se kandidatët për deputet sa shumë e kanë hallin e këtij populli, këta që na bombardonin me mesazhe nëpër facebook duke kërkuar votën tonë, që të bëhen "zëri" ynë në Kuvend”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Krasniqi, duke parë situatën e krijuar tani së fundi në QNR, thotë se kandidatët për deputetë, shumë të tillë hallin më të madh e kanë pasur se si të gjejnë komisionerë për t’i korruptuar që të ju regjistrojnë votat në llogari të tyre, se sa që kanë bërë fushatë për të ofruar diçka të mirë dhe të realizueshme si zotim për qytetarin.

“ Prandaj në një shtet të sundimit të vërtetë të ligjit, kandidatët e tillë së bashku me komisionerët e korruptuar do të shkonin në burg, pa një pa dy. Halli i shumë prej kandidatëve që kanë manipuluar me vota është si të bëhen deputet, prandaj edhe ka ndodhur ky manipulim aq i madh i votave. Në një vend demokratik po të ndodhte një gjë e tillë, dorëheqjet dhe arrestimet do të ishin të pa shmangshme. Kurse tek ne punën e vazhdojnë qetë thua se s'ka ndodhur asgjë. Me rëndësi është numëro dhe rinumëro”, shtoi Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, nëse në fund të krejt këtij procesi del që NISMA-AKR-PD e kalojnë pragun, atëherë duhet të konstatohet se qëllimi i këtij rinumërimi është më shumë se kriminal.

“Ngase prapaskena e tij e vërtetë nuk është vetëm vjedhja brenda llojit e votave, por është skenar më shumë se mafioz, që ta komplikojnë dhe pengojnë krijimin më të shpejtë të qeverisë nga koalicioni i dy partive politike fituese të zgjedhjeve, LVV-së dhe LDK-së. Nëse koalicioni Nisma-AKR-PD e kalojnë pragun, kjo tregon që mafia-politike këtë masakër të votës e ka bërë që kjo treshe ta kalojnë pragun, në mënyrë që ta komplikojnë koalicionin LVV-LDK”, tha në fund, analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)