Denoncimi: Ja si funksionojnë skemat kriminale në gjyqësorin kosovar

  • 19 October 2019 - 07:50
Denoncimi: Ja si funksionojnë skemat kriminale në gjyqësorin kosovar

“Gjyqtarëve servil dhe të inkriminuar të politikës, ju kumtohet lajmi se po avancohen në pozita më të larta, ende pa u marrë as edhe një vendim zyrtar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në këtë mënyrë politikanët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët po e përdorin sistemin e drejtësisë për qëllimet e tyre meskine, duke e shndërruar kështu sistemin e drejtësisë në levë për mbajtjen e pushtetit edhe përkundër aferave skandaloze korruptive dhe kriminale”, tha Zeqa për "Kosova Sot Online" .

Image
Florim Zeqa

Sundimi i ligjit dhe vendosja e drejtësisë për qytetarin në mënyrë meritore në vendin e vetë, vazhdon të mbetet pika më e dobët e funksionimit të shtetit të ri të Kosovës, edhe pse kanë kaluar tash e 20 vjet në liri, dhe jemi afër shënimit të 12 vjetorit të shpalljes së pavarësisë nga mbikëqyrja dhe asistenca ndërkombëtare.

Mirëpo, sipas analistëve të politikës dhe njohësve të sistemit të drejtësisë, gjyqtarët e Kosovës po vazhdojnë edhe më tutje të dirigjohen nga krimi politik, nga pushtetarët e inkriminuar të nivelit të lartë dhe mafio-oligarkët në Kosovë, ku edhe për fatin e lëndëve gjyqësore në procedurë që ata kanë interes për t`u refuzuar apo për t`u miratuar shpërblehen gjyqtarët me gradim nga gjykata e nivelit më të ulët, në atë më të lartë.

Një fakt të tillë e denoncon për “Kosova Sot Online” , edhe analisti politik, Florim Zeqa.

“Dirigjimi i gjyqtarëve nga pushtetarët e inkriminuar të nivelit të lartë dhe mafio-oligarkët në Kosovë, ka bërë që për fatin e lëndëve gjyqësore në procedurë të vendosin ata që kanë interes për t`u refuzuar apo për t`u miratuar, duke shpërblyer gjyqtaret me gradim nga Gjykata themelore në atë të Apelit, apo nga Gjykata e Apelit në atë Supreme. Avancimi në pozita të larta në gjyqësorin e Kosovës bëhet krejtësisht në mënyrë kriminale, vetëm për të dëgjueshmit e pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale”, tha Zeqa.

Madje sipas analistit Zeqa, gjyqtarët e avancuar nga politika për këtë favor që iu bëhet, e marrin lajmin paraprakisht akoma pa u marr vendimi.

“Gjyqtarëve servil dhe të inkriminuar të politikës, ju kumtohet lajmi se po avancohen në pozita më të larta, ende pa u marrë as edhe një vendim zyrtar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në këtë mënyrë politikanët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët po e përdorin sistemin e drejtësisë për qëllimet e tyre meskine, duke e shndërruar kështu sistemin e drejtësisë në levë për mbajtjen e pushtetit edhe përkundër aferave skandaloze korruptive dhe kriminale”, shtoi Zeqa.

Prandaj, sipas tij, qeveria e re ka një obligim serioz para vetës, nëse vërtetë partnerët e mbajnë premtimin për shtet të së drejtës dhe luftimin e krimit e korrupsionit, sidomos atë në drejtësi dhe në nivelin e lartë të politikës.

“Bazuar në situatën e krijuar në sistemin e drejtësisë, sfidat e qeverisë së re janë të shumta dhe të panumërta. Suksesi dhe dështimi i qeverisë në ardhje janë lidhura ngushtë me suksesin në sistemin e drejtësisë. Pa de politizimin e sistemit të drejtësisë dhe pa ç’kapje të sistemit gjyqësor nga politika e inkriminuar, jo vetëm që nuk do të ketë drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët, do të ketë vazhdim të sundimit të krimit dhe inkriminim të thellë të sistemit të drejtësisë në krim të organizuar”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)