Johnson përballet me shtyrje të Brexit-it në kuvend

  • 19 October 2019 - 08:18
Johnson përballet me shtyrje të Brexit-it në kuvend

Plani i kryeministrit britanik, Boris Johnson, që ta miratojë në kuvend marrëveshjen e arritur me Bashkimin Evropian për realizimin e Brexit-it më 31 tetor ka gjasa të mos kalojë në organin ligjvënës për shkak të një aleance mes laburistëve dhe ish-deputetëve konservatorë, të cilët po e kërkojnë shtyrjen e këtij procesi.

Pasi e arriti një marrëveshje të minutës së fundit në Bruksel të enjten sa i përket kontrolleve doganore në Detin e Irlandës, kryeministri shpresoi që t’i japë formë një momenti dramatik të shtunën në kuvend, ku do të vlente qëndrimi i tij i vjetër, dalje nga BE-ja me marrëveshje të re ose dalje pa marrëveshje, por jo më larg se data 31 tetor.

Megjithatë, pavarësisht reagimeve pozitive të guvernatorit të Bankës së Anglisë, Mark Carney, dhe deklaratave përkrahëse të disa deputetëve të Partisë Laburiste, planet e Johnson-it u goditën të premten nga një grup ndërpartiak, i udhëhequr nga Oliver Letwin dhe Hilary Benn.

Deputetët konservatorë dhe laburistë do ta hedhin në tavolinë një amendament që ia lejon kuvendit tërheqjen e miratimit deri të kalojë legjislacioni për zbatimin e Brexit-it. Letwin ka këmbëngulur se plani i tij nuk është që ta bllokojë marrëveshjen.

Lajmi për këtë amendament erdhi si goditje e rëndë për kryeministrin. Ndihmësit e tij u takuan të premten në mbrëmje për të vendosur se cilët hapa do të merren në rast se ky amendament miratohet në kuvend, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)