Tregon eksperti i legjislacionit zgjedhor: Kështu duhet të veprojë KQZ në rinumërim

  • 19 October 2019 - 19:25
Tregon eksperti i legjislacionit zgjedhor: Kështu duhet të veprojë KQZ në rinumërim

 “Kur jemi në këtë situatë shumë delikate të dyshimeve për abuzim dhe shtytje përpara të atij apo këtij subjekti politik, KQZ nuk ka nevojë të bëjë fare rinumërim të votave për parti politike, por vetëm për kandidatët, nëse për këtë ka fakte dhe prova materiale. Pra vetëm për kandidatët kërkohet që të jetë proces i rregullt sepse edhe partia politike shkon me kandidatin”, tha  Burjani për “Kosova Sot Online”.

 

Njohësit e zhvillimeve politikë në vend, duke parë procesin e ngadaltë që po zhvillohet edhe në fazën e re të rinumërimit të votave, për çka është paraparë të zgjas së paku 10 ditë pune në QNR, shprehin dyshimin e tyre se këtu mundë të përgatitet një skenar, sipas të cilit, do të nxirret nga kriza e humbjes së zgjedhjeve edhe koalicioni NISMA-AKR-PD, me qëllim të bërjes së pazareve të pista dhe bashkëngjitjes së këtij subjekti politik  koalicionit VV-LDK. 

Image
Blerim Burjani

Profesori universitar, Blerim Burjani, njëherit ish anëtar i KQZ-së, ka tërhequr vërejtjen që të mos luhet me vullnetin e qytetarëve, sepse qëllimi ligjor dhe ai formal i rinumërimit duhet të jetë vetëm korrigjimi i gabimeve, nëse ato janë si të tilla në rezultatin e përgjithshëm të bërë publik deri më tani. 

“KQZ ka nxjerr vendim për rinumërim edhe të 530 vend votimeve për shkak të votave të kandidatëve të pa kënaqur, e që pakënaqësi të tilla ka pasur gjithmonë dhe do të ketë edhe në të ardhmen, por ky proces nuk guxon kurrsesi të abuzohet të keqpërdoret dhe të ndodhë ndonjë përmbys, qoftë e vogël apo e madhe e rezultatit real të zgjedhjeve”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.  

Për të qenë ky proces i besueshëm dhe i pamundur që të abuzohet, sipas Burjanit, në numërimin apo rinumërimin e votave, nuk do të duhej lejuar që të marrin pjesë fare partitë politike, por vetëm stafi profesional dhe vëzhguesit vendor e ndërkombëtar, 

“Dhe vetëm kështu do të kishim proces të besuar dhe pa hapësirë manipulimi, për të dëmtuar një subjekt politik dhe avancuar një tjetër, sipas tekeve dhe interesave të grupeve dhe lidhjeve kriminale politike.  Gjithmonë janë komisionerët partiak ata që e prishin procesin dhe ndikojnë edhe në vlerësim tek observatorët- ndëshkuesit ndërkombëtar, andaj nuk mundë të shënohet progres më pozitiv se që kemi deri më tani. Kur jemi në këtë situatë shumë delikate të dyshimeve për abuzim dhe shtytje përpara të atij apo këtij subjekti politik, KQZ nuk ka nevojë të bëjë fare rinumërim të votave për parti politike por vetëm për kandidatët, nëse për këtë ka fakte dhe prova material. Pra vetëm për kandidatët kërkohet që të jetë proces i rregullt sepse edhe partia politike shkon me kandidatin. Po e them këtë sepse në opinion publik është fituar një përshtypje se mund të ndikohet në rezultat dhe kjo do te ishte tepër e dëmshme, sepse rezultati aktual nuk mund të përmbyset as minimalisht. Këtë as nuk duhet lejuar dhe as nuk duhet provuar”, përfundoi Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)