Ramadani: Serbia po vazhdon presionin ndaj pjesëtarëve serb të FSK’së

  • 19 October 2019 - 22:52
Ramadani: Serbia po vazhdon presionin ndaj pjesëtarëve serb të FSK’së

Zëvendës ministri i Mbrojtjes në detyrë, Burim Ramadani, ka reaguar pas ndaljes së dy pjesëtareve të FSK’së nga policia serbë në kufirin Kosovë-Serbi, në Jarinje. Pjesëtarët e FSK’së janë liruar pas disa orësh, gjë për të cilën ka raportuar media.

Ai ka thënë se Serbia po vazhdon presionin ndaj pjesëtarëve serb të FSK’së duke ndaluar me orë të tëra pa asnjë arsye.

“Serbia vazhdon presionin ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së, në një logjikë krejtësisht jonormale, jonjerëzore dhe jokonstruktive. Duke i ndalur me orë të tëra dhe liruar më pas, ky presion është krejtësisht pa kuptim”, ka shkruar Ramadani.

Ai gjithashtu siguroi se me këto veprime nuk mund të arrihet asnjë qëllim.

“Nuk ka asnjë qëllim që mund të arrihet përmes këtyre veprimeve. E vetmja gjë që dëshmohet është që asgjë nuk ka ndryshuar, është i njëjti mentalitet”, ka thënë Burim Ramadani.

Tutje, Ramadani tha se Serbia nuk mund ta ndalë Kosovën, por vetëm po maltreton serbët e Kosovës.

“Serbia po dëmton serbët e Kosovës. Sepse, Kosovën nuk mund ta ndalë si të tillë, por vetëm maltreton serbët e këtushëm”, është shprehur zv. ministri në detyrë, Ramadani.


(Kosova Sot Online)