Dështimi i radhës i Kosovës, vjen akuza e rëndë

  • 20 October 2019 - 07:14
Dështimi i radhës i Kosovës, vjen akuza e rëndë

“Nuk e duan shtetin! Këta reflektojnë pozitivisht vetëm nëse e kanë ndonjë përfitim personal. Efikasiteti i qeverisjes më të keqe nga paslufta është një minus i madhe. Sill e mbështill këta e përmendin vetëm ushtrinë dhe taksën”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Pas dështimit të dytë të anëtarësimit të shtetit të Kosovës në “Interpol”, analistët e politikës dhe njohësit e sundimit të ligjit theksojnë se ky rast është edhe një dëshmi tjetër e jo seriozitetit të politikës kosovare përballë ndërtimit të shtetit dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

E një nga segmentet me rëndësi të fuqizimit të subjektivitetit dhe identitetit të shtetit, është edhe bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare, ndër ato edhe organizatat që kanë për fushë veprimi, luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar, sikur rasti me “Interpolin”.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka njoftuar se është tërhequr aplikimi për anëtarësim në këtë organizatë, për shkak të gjendje së krijuar në Kosovë me zgjedhjet e jashtëzakonshme, gjë që nënkupton se Qeveria, Ministria e Jashtme dhe ajo e Punëve të Brendshme kanë dështuar për të lobuar që ta fitojnë mbështetjen e nevojshme të votave të shteteve anëtarë të “Interpolit”, për ta pranuar edhe Kosovën në mesin e tyre.

Eksperti i fushës së sundimit të Ligjit, Hasan Preteni tha për “Kosova Sot Online” se qeveritarët që e dështuan edhe këtë rast të dytë të aplikimit dhe anëtarësimit në Interpol, meritojnë edhe një ndëshkim tjetër.

Image
Hasan Preteni

“Sepse ky edhe një debakël tjetër i turpshëm kësaj klase politike që po dështon përballë lobimit të fuqishëm serb kundër Kosovës, duke mos menduar fare për shtetin por vetëm për interesat e tyre personale. Nuk e duan shtetin! Këta reflektojnë pozitivisht vetëm nëse e kanë ndonjë përfitim personal. Efikasiteti i qeverisjes më të keqe nga paslufta është një minus i madh. Sill e mbështill këta e përmendin vetëm ushtrinë dhe taksën”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

“Ushtria ishte vendim unanim por se përveç legjislacionit asgjë tjetër nuk ka lëvizë. Te taksa na u shtrenjtua buka dhe disa artikuj të tjerë, e përfitimi qytetar është zero”, theksoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

Dështimi në politikën e jashtme, përveç “Interpolitit”, sipas Pretenit po dëshmohet rëndë edhe me ngecjen e plotë të njohjeve ndërkombëtare.

“Asnjë njohje, përkundrazi heqje të njohjeve. Asnjë pranim në institucionet ndërkombëtare, përkundrazi përjashtime. Asnjë sukses në asnjë plan vendor dhe ndërkombëtare. Qeveri e luksit, e mbi punësimit, e shpenzimit enorm të buxhetit, shpenzimit të rezervave dhe asnjë të mirë për qytetarit. Na ndritën fytyrën vetëm xhudistët dhe futbollistët. E politika lë shumë për të dëshiruar”, përfundoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)