Paralajmërohet ofensiva e Speciales, kjo do jetë tronditja për Kosovën

  • 20 October 2019 - 07:28
Paralajmërohet ofensiva e Speciales, kjo do jetë tronditja për Kosovën

“Ofensiva e madhe që ka filluar së fundi Gjykata Speciale, me ftesat e turit të dytë për intervistim, të përfaqësuesve të rangut të lartë eprorëve të komandimit në strukturat e UÇK-së dhe përfaqësimit në politikën Kosovare, përveç se do të ketë ndikim të shumë të madh në skenën politike të Kosovës, mund të ketë ndikim në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Përderisa Kosova është në një fazë të ndjeshme pas zgjedhore me institucione kalimtare në detyre deri në konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë se re, Gjykata Speciale ka filluar një rreth të dytë të dërgimit të ftesave për intervistim, të figurave të rangut të lartë komandues të luftës së UÇK-së, njëherësh edhe zyrtar politik në këto vite të pas luftës.

Analistët politikë e shohin këtë zhvillim të ri, intensifikim të punës ë Gjykatës Speciale me pasoja serioze për një pjesë të politikës kosovare, madje edhe për procesin e bisedimeve me Serbinë, pasi sipas tyre këto ftesa të ditëve të fundit konsiderohen si një paralajmërim serioz për raundin e tretë të zhvillimeve akoma më dramatike, që mundë të jetë zyrtarizimi i aktakuzave dhe fillimi fshesës së arrestimit të figurave kyçe të ish komandantëve dhe përfaqësuesve politik që gjenden në listën e të dyshuarve të Speciales.

I tillë është vlerësimi që i jep kësaj situate të re edhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Florim Zeqa.

“Ofensiva e madhe që ka filluar së fundi Gjykata Speciale, me ftesat e turit të dytë për intervistim, të përfaqësuesve të rangut të lartë eprorëve të komandimit në strukturat e UÇK-së dhe përfaqësimit në politikën kosovare, përveç se do të ketë ndikim të shumë të madh në skenën politike të Kosovës, mund të ketë ndikim në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi. Këtë konstatim timin e bazoj në faktin e rezultatit zgjedhor, gjegjësisht të ndëshkimit të të njëjtëve eprorë dhe komandant nga qytetarët e Kosovës”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Image
Florim Zeqa

Sipas analistit Zeqa, pas këtyre ftesave të shumta që u bënë publike javën që po mbetet pas, do të vie edhe konfirmimi i aktakuzave të para dhe faza e arrestimit.

“Ftesat e ditëve të fundit janë një paralajmërim serioz për raundin e tretë të zhvillimeve akoma më dramatike, që mundë të rezultojë me zyrtarizimin e aktakuzave të para dhe fillimi fshesës së arrestimit të figurave kyçe të ish komandantëve dhe përfaqësuesve politik që gjendjen në listën e të dyshuarve të Speciales”, shtoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, tani më shumë se kurrë në këtë proces duhet të mbrohet dhe dëshmohet vërtetësia e luftës së drejtë të popullit të Kosovës, dhe këtë do të dinë ta bëjnë vetëm luftëtarët e denjë dhe të vërtetë, që kanë zhvilluar luftë të drejtë dhe të përgjegjshme.

“Përballja e figurave kyçe me Gjykatën Speciale, më shumë sesa skenës politike, duhet t'i shërbejë luftës së drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës. Mbrojtja e luftës së pastër çlirimtare është interes më madhorë sesa çdo interes personal apo grupor. Pa asnjë mëdyshje, luftëtarët e vërtetë dhe komandantët e përgjegjshëm, sikurse në luftë në përballje me armikun shekullor, edhe në përballje me Gjykatën e njëanshme ndërkombëtare do dinë ta mbrojnë pastërtinë e luftës çlirimtare dhe integritetin personal të tyre”, përfundoi analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)