Dorëzohet Trump-i, heq dorë nga mbajtja e samitit të G7-s në rezortin e tij

  • 20 October 2019 - 08:37
Dorëzohet Trump-i, heq dorë nga mbajtja e samitit të G7-s në rezortin e tij

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është detyruar të heqë dorë nga plani për ta organizuar samitin e grupit G7 në njërin nga rezortet e tij luksoze për shkak të reagimeve të shumta politike.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi përmes rrjetit Twitter të shtunën në mbrëmje se e ka tërhequr vendimin për mbajtje të samitit në pronën e tij private dhe se do ta kërkojë një lokacion alternativ për t’i pritur liderët botërorë në qershor të vitit të ardhshëm.

Kjo deklaratë paraqet një pranim të rrallë të humbjes nga ana e presidentit amerikan, i cili zakonisht gjen arsyetime të ndryshme për t’i mbrojtur qëndrimet dhe politikat e tij kundërthënëse.

Edhe kësaj radhe, ai u ankua se mediet dhe politikanët demokratë kanë reaguar pa arsye ndaj vendimit për organizimin e samitit në rezortin që është në pronësi të tij, duke shtuar se e tërë ngjarja nuk do t’i faturohej buxhetit të shtetit dhe se nuk do të përfitonte asgjë prej saj në aspektin material.

Vendimi i tij ishte vlerësuar si një shembull i qartë i keqpërdorimit të pozitës zyrtare nga presidenti për ta pasuruar veten dhe bizneset e tij. Si duket, ky rezort kishte nevojë për një reklamë të mirë, sepse të hyrat e tij nga viti 2015 kanë rënë për 69 për qind, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)