Flet eksperti i legjislacionit zgjedhor: Vetëm kështu parandalohet vjedhja e votave

  • 20 October 2019 - 20:17
Flet eksperti i legjislacionit zgjedhor: Vetëm kështu parandalohet vjedhja e votave

 “Problemet me këtë sistem gjithmonë janë të njëjta. Përderisa nuk ka ndonjë reformë thelbësore, nuk mundë të ketë sistem kredibil dhe të besueshëm zgjedhor, dhe përderisa janë partitë politike ato që numërojnë votat e tyre, dhe nuk ka respektim të ligjit dhe rregullave zgjedhore”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”. 

Njohësit e fushës së legjislacionit elektoral në vend, po e përcjellin me shqetësim të madh raportimin në baza ditore nga KQZ-ja dhe QNR-ja për vështirësitë që po hasin atje, në finalizimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe publikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Image
Blerim Burjani

Eksperti i kësaj fushe, profesor, Blerim Burjani tha për “Kosova Sot Online” se ndonëse zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan pa probleme, pa raportime të vëzhguesve për ndonjë abuzim apo përpjekje serioze të keqpërdorimit të votës, prapaskena e këtyre keqpërdorimeve, kriminalizimit të votës u zbulua në procesin e numërimit dhe evidentimit të votës për secilin kandidat dhe për subjektet politike.

Vota e lirë e qytetarit, sipas Burjanit, është atakuar brenda listave të subjekteve politike, nga gara kriminale mes kandidatëve të lidhur me komisionerët që abuzuan me votën e qytetarit, abuzim i zbuluar në fazën e auditimit dhe verifikimit, për çka KQZ u detyruar të dërgon në rinumërim 530 vendvotime.

Profesor Burjani thotë se kjo hapësirë e mundshme e manipulimit të votës, nuk mundë të eliminohet derisa nuk ndodhë një reformim i plotë i sistemit zgjedhor, reformë kjo e deklaruar disa herë në mandatet e kaluara, por e dështuar për shkak të mungesës së vullnetit nga partitë politike. 

“Problemet me këtë sistem gjithmonë janë të njëjta. Përderisa nuk ka ndonjë reformë thelbësore, nuk mundë të ketë sistem kredibil dhe të besueshëm zgjedhor, dhe përderisa janë partitë politike ato që numërojnë votat e tyre, dhe nuk ka respektim të ligjit dhe rregullave zgjedhore”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”. 

E për të eliminuar të gjitha këto mundësi abuzimi të votës, Burjani thotë se duhet të profesionalizohet KQZ-ja dhe të depolitizohet tërësisht ky institucion, në mënyrë që të mos mundë të abuzohet nga grupet kriminale të politikës. 

“Kosova duhet të depolitizoj plotësisht mekanizmat zgjedhore, KQZ-në dhe KKZ-të, në të kundërtën kështu gjithmonë do të jenë të gjitha proceset ë ardhshme me plot parregullsi”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot Online”. 

Sipas Burjanit, përderisa në Kosovë politika është gjithçka,  gjithmonë do të ketë vjedhje të votave, prandaj duhet vepruar me reformë të sistemit, për ta parandaluar këtë praktikë kriminale.

“Derisa gjithçka është nën kontrollin e politikës vota individuale është a pa mundshme të ruhet dhe të numërohet si duhet. Kjo mundë të realizohet vetëm nëse profesionalizohet tërësisht KQZ-ja dhe ndryshon sistemi. E Kosovës i nevojitet dhe shkon për shtati më së miri një sistem zgjedhor gjysmë mazhoritar”, përfundoi Burjani për “Kosova Sot Online”.


(Kosova Sot Online)