U zhduk para nëntë ditësh, policia po kërkon ndihmën e qytetarëve për ta gjetur të riun nga Lipjani

  • 21 October 2019 - 14:48
U zhduk para nëntë ditësh, policia po kërkon ndihmën e qytetarëve për ta gjetur të riun nga Lipjani

Para nëntë ditësh, me datën 12 tetor, është larguar nga shtëpia e tij Shqipdon Aliu nga fshati Gadime e Ulët e Lipjanit. Që nga ajo ditë, askush nuk e di se ku ndodhet 24-vjeçari. Pas dy ditësh prej kur ishte larguar, familjarët e kanë raportuar rastin në polici. Lëta të fundit po vazhdojnë  kërkimin e tij, por po kërkon ndihmë edhe nga qytetarët për ta gjetur.

Përmes një komunikate, policia ka bërë të ditur se që nga dita e raportimit janë në kërkim të Shqipdonit, por deri më tani nuk ka pasur sukses në gjetjen e tij.

“Që nga dita e raportimit deri më tani, njësitet policore te hetimeve, kërkimeve si dhe patrullat në koordinim me prokurorinë përkatëse dhe në bashkëpunim të ngushtë me familjarët, kanë ndërmarrë një varg veprimesh si : intervistime të personave që mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së personit; kontrollimi i hyrje- daljeve, në të gjitha pikat kufitare; kërkime në zona që personi kishte frekuentuar zakonisht (ambiente të mbyllura dhe të hapura përfshirë edhe vendet ku personi kishte punuar); analizimi i video incizimeve të zonave të ndryshme; analizimi dhe hetimi i çdo lloj informacioni që lidhet me personin, etj”, bën të ditur policia në komunikatë.

Po ashtu, policia ka vënë në dispozicion numrat e telefonit në të cilët qytetarët mund të thërrasin nëse e shohin Shqipdonin.

“Veprimet dhe kërkimet policore, janë duke vazhduar intenzivisht, mirëpo njëkohësisht kërkojmë nga të gjithë ata që mund të ndihmojnë në identifikimin e vendndodhjes së tij, të informojnë Policinë e Kosovës në linjën emergjente 192, apo në nr 0800199”, thekson policia.

(Kosova Sot Online)