Haziri: Një marrëveshje ndërmjet dy partive është afër

  • 21 October 2019 - 21:32
Haziri: Një marrëveshje ndërmjet dy partive është afër

Grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjatë kësaj jave pritet t’i vazhdojnë takimet me qëllim të harmonizimit të plan-programeve të tyre.

Se një marrëveshje ndërmjet dy partive është afër të arrihet, e thotë edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Përkitazi me këtë, Haziri mohon se postimi i tij në Facebook, se nuk do të lejojnë që politikat për çkapjen e shtetit të zëvendësohen me kapjen e re të tij, i janë drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje, raporton ktv.

Ai shton se do të dalë kundër çdo partie që synon një gjë të tillë, madje edhe kundër LDK-së .

Kujdes në deklarimet e tilla si nga LDK-ja, po ashtu edhe nga Vetëvendosje, kërkon analisti Artan Murati.

Sipas tij, ato mund të ndikojnë negativisht në arritjen e një marrëveshjeje bashkë – qeverisëse ndërmjet këtyre dy partive.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë në pritje të certifikimit të rezultateve, për të finalizuar marrëveshjen e koalicionit paszgjedhor.

Kryetari i Vetëvendosjes dhe i nominuari për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se brenda një muaji, pritet të arrihet kjo marrëveshje.


(Kosova Sot Online)