Zani: Këtu që të ikësh duhet pare e madhe

  • 21 October 2019 - 22:55
Zani: Këtu që të ikësh duhet pare e madhe

Një audio e dërguar nga Klotilda Zani e cila është në kampin Al-Hol  shprehet se duhet shumë para për tu larguar nga aty, teksa këshillon vëllain që të mundohet të lidhet me shtetin pasi Kosova i kishte tërhequr qytetarët e saj:

“Këtu që të ikësh duhet pare e madhe, pastaj edhe Kosova ka ik, shteti i ka tërheq.

Duhet të interesoheni më shumë ju familjet tona. Me gjithatë shiko çfarë mund të bësh. Këtu duhet pare e madhe, përveç shtetit nuk bën kush gjë. Ne pasaportat nuk i kemi na i kanë marrë”.

Një audio e dytë e dërguar nga Klotilda Zani, nëna me 3 fëmijë, e cila është në kampin Al-Hol është publikuar në emisionin “Open” të Eni Vasilit në Top Channel.
“ Lekët i mora, jemi shumë mirë, pas 3 muajsh ka ardhur letra jote, vetëm gra jemi, burrat se di ku janë”, i thoshte ajo fillimisht të vëllait Florinit.
Por në një mesazh të dytë thoshte: “Por jeta është e vështirë, na kanë thënë që do na marrin, po Zoti e di se kur”.
Ndërkohë vëllai i saj i bëri thirrje shtetit që të ndërhyjë sa nuk është vonë.

Florini është një vëlla i cili kërkon rikthimin e motrës së tij nga kampet siriane. Në Open ai tha se motra e tij, Klotilda Zani ndodhet atje që prej vitit 2014 dhe ka 3 fëmijë.
“ Unë jam drejtuar në Ministrinë e jashtme dhe nuk më kanë pritur fare. Në polici po ashtu, por nuk merret njeri. Kam 4-5 muaj që merrem me këtë gjë dhe nuk më ndihmon njeri.
Motra më ka shprehur se do të kthehet. Shteti nuk është interesuar fare. Motra më ka thënë se jeton në një çadër dhe ka dhe 3 fëmijë është në një situatë të keqe, bashkëshorti nuk dihet ku është”, tha Florini.


(Kosova Sot Online)