Vjen kërkesa për Kurtin: E mbështesin edhe ndërkombëtarët, ja pse duhet të shkarkohet Thaçi

  • 22 October 2019 - 14:28
Vjen kërkesa për Kurtin: E mbështesin edhe ndërkombëtarët, ja pse duhet të shkarkohet Thaçi

“Albin Kurti kishte dhënë fjalë të forta që të shkarkoj Hashimin e Haxhi Brojës, ndaj populli po e pret këtë premtim, përndryshe ai është i vetëdijshëm se do e humb besimin në popull. Jo vetëm shkarkimi por burgosja do të duhej të jetë e domosdoshme, dhe për vepra nuk po flas, se nuk di ku t´ia nisi i pari, sepse ka shume për hajni e tradhti shtetërore e kombëtare”, tha Badallaj për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë janë duke pritur me padurim krijimin e qeverisë Kurti në koalicion me LDK-në, për ta përcjell hap pas hapi nëse do të fillojnë t’i përmbushin premtimet e tyre elektorale dhe zotimet që i kanë dhënë para qytetarëve.

E një ndër zotimet më të rëndësishme që i kanë dhënë LDK dhe LVV, ka qenë edhe shkarkimi i Hashim Thaçit nga pozita e të parit të shtetit, për shkak të bisedimeve me Serbinë në dëm të shtetit të Kosovës, posaçërisht me këtë fazën e fundit për një marrëveshje finale.

Image
Reshat Badallaj

Analisti politik, Reshat Badallaj thekson se do të jetë fitore e kotë, fitorja e opozitës VV-LDK në zgjedhjet e 6 tetorit, nëse nuk arrijnë që gjatë vitit të parë të mandatit qeverisë t’ia marrin mandatin dhe shkarkojnë edhe Hashim Thaçin nga pozita e kreut të shtetit, për shkeljet e rënda të Kushtetutës, në përpjekje për pazare territoresh me Serbinë në dëm të Kosovës, vetëm që të del i pa prekur nga Gjykata Speciale.

Sipas Badallajt, sado që e mohon Thaçi një ide të tillë tani, këtë së fundi ia nxori në shesh zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ish ministre për dialogun me Serbinë në mandatin e kryeministrit Thaçi.

Sipas Tahirit, vota e 6 tetorit, ishte votë e dënimit për keq qeverisjen dhe korrupsionin, por për pjesën më të madhe, ajo ishte votë që goditi disa lojëra gjeopolitike të cilat rrethuan Dialogun e Brukselit me idetë e rrezikshme të ndryshimit të kufijve, në të cilat ishte përfshirë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe një listë e gjatë e lobistëve për ndarjen e Kosovës. 

Badallaj kërkon koalicioni LVV-LDK të funksionalizohet me të shpejtë pas certifikimit të zgjedhjeve, dhe ndër veprimet e para që do merr të jetë rishqyrtimi i mandatit të Hashim Thaçit si president.

“Kjo fitore e merituar e Albin Kurtit do të duhej sa më parë që është e mundur të vihet në veprim, sepse është bërë mjaft me festime dhe koha nuk pret. Nuk mund të merrni me mend se deri sa këta festojnë bandat dhe klanet mafioze të cubave janë duke punuar ditë e natë që të mos bëhet qeveria Kurti. Këto klane banditeske nuk lënë gur e dru pa lëvizur që të fusin Kosovën në kaos total që të mos dihet më tej se çka do të ndodhë dhe më pas t´ia lënë kopilin në derë Vetëvendosjes. Albin Kurti kishte dhënë fjalë të forta që të shkarkoj Hashimin e Haxhi Brojës, ndaj populli po e pret këtë premtim, përndryshe ai është i vetëdijshëm se do e humb besimin në popull. Jo vetëm shkarkimi por burgosja do të duhej të jetë e domosdoshme, dhe për vepra nuk po flas, se nuk di ku t´ia nisi i pari, sepse ka shume për hajni e tradhti shtetërore e kombëtare. Shumë vite ka bëre pazare me gjakësorët serbo-çetnik në dëm të Kosovës dhe për interesa të veta personale. Albin Kurti nuk duhet të pret asnjë minutë, duhet të hidhet në aksion kundër bandave kriminale për të shpëtuar Kosovën nga urithët e nënokes, në fund të fundit,populli ja dha votën dhe kjo votë nuk duhet tradhtuar. Këto pazare përpos që nuk i ndalën, ata vazhduan edhe me pazarin tjetër, me Brukselin dhe qëllimisht në krye të kësaj bande hajdutesh vunë krye hajnat me procedura penale, me skandale dhe afera korruptive”, tha Badallaj për “Kosova Sot Online”.

Tutje, Badallaj tha se populli i pa të gjitha pazaret nga këto banda kriminelësh, sidomos hajnin dhe pazaret për t´ia dhënë Serbisë fashiste Trepçën dhe Ujmanin.

“Ndonëse tani për tani janë ndërprerë këto pazare kriminelësh vetëm falë popullit, prandaj Albin Kurti duhet të formoj qeverinë e tij për të mos u kthyer më kurrë këto pazare të dëmshme kundër vendit që ata matrapazët t´i shpëtojnë ligjit. E mirë është një gjë që populli më nuk po ju beson pazareve të Hashimit të Brojës, kumbarës së tij Aleksandër Vuciqit dhe Edvin Kristaq Rames. Edhe naivët më të mëdhenj nuk do ta besonin se pa lufte do e jepte Serbia, Bujanocin, Medvegjen dhe Preshevën dhe askush më nuk e beson këtë mashtrim që të futet në luftë, të vdes atje e dikush pastaj me gjakun e tyre të bëhet super milioner dhe të bëj gosti në hotelet më të shtrenjta të botës me gjakësorët serbo-çetnik”, potencoi Badallaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij shkarkimin e Thaçit do ta mbështesin edhe miqtë ndërkombëtar, pasi që edhe ata janë në krah me popullin kundër planeve të Thaçit e Vuqiqit.

“Përpos popullit edhe shtetet më të fuqishme të botës po e kundërshtojnë këtë pazar në dëm të Kosovës dhe nga frika që pazarexhite kërkojnë gjak të derdhet sërish. Pra Albin Kurti, me ndihmën e ndërkombëtare, është koha që të formoj sa më parë qeverinë që do t´i shërbente vendit dhe qytetarëve të saj dhe të ndaloj pazaret e gjak zinjve sepse koha nuk pret”, përfundoi analisti politik, Reshat Badallaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)