A janë shqiptarët agresivë gjatë vozitjes - flet eksperti

  • 22 October 2019 - 17:40
A janë shqiptarët  agresivë gjatë vozitjes - flet eksperti

Gëzim Hoxha, eksperti i sigurisë rrugore, foli për aksidentet rrugore në Shqipëri.

Eksperti Hoxha tha se shqiptarët i japin keq makinës dhe nuk ndezin sinjalet.

Gjithashtu shtoi se drejtuesit e mjeteve janë shumë agresivë në timon dhe të pavëmendshëm.

Ndërsa theksoi se policia ndikon pothuajse 5% në parandalimin e aksidenteve.

Moderatori Klevi Kadilli: Shqiptarët nuk dinë ti japin makinës?

Gëzim Hoxha: “Po, shqiptarët i japin keq makinës. Sidomos nuk ndezin sinjalet. I japin makinës ashpër, shumë të nervozuar, janë shumë agresivë. Sinjali duhet të hapet 100 metra përpara se të futesh në kryqëzim. Kështu që kanë kohë për ta parë sinjalin mjetet e tjera para ose pas teje. Ka nga ata që ose hyjnë pa sinjal fare në kthesë ose e ndezin në momentin kur presin timonin për të marrë kthesën. Atëherë ka mbaruar gjithçka, ai që është mbrapa të ka rënë ty. Nuk përdoret sinjalistika, drejtuesit e mjeteve nuk janë të vëmendshëm dhe nuk dinë të kalojnë rrethrrotullimin. Rrethrrotullimet tona janë gjithmonë të bllokuara. Duhet të fillojmë të mendojmë të ndryshojmë mënyrën e të menduarit. Secili duhet të bëjë punën e tij dhe deri ku e kemi të drejtën tonë për të vepruar.”, raporton tv ora.

Moderatorja Arjola Shehu: Sa ndikon policia rrugore në parandalimin e aksidenteve?

Gëzim Hoxha: “5%. Ne nuk kemi bërë studim. E ka bërë policia gjermane. Sipas studimit një polici e kualifikuar mirë, e pajisur me pajisjet e nevojshme siç i ka policia gjermane dhe ka arritur në këtë konkluzion. Ne nuk e dimë sa mund të arrijmë por po e marrim të mirëqenë 5%. Problemi jonë është se duhet të ndryshojmë metodologjinë e të menduarit. Pra nuk mundet të nxjerrim radarët në rrugë të drejtë për të kapur makinat sepse krijon idenë e një grabitqari dhe jo që unë ta dua policinë.”

(Kosova Sot Online)