Thaçi me aludime të rënda ndaj Sali Berishës për vrasjet e Azem Hajdarit, Ali Ukës dhe Remzi Hoxhës

  • 23 October 2019 - 11:22
Thaçi me aludime të rënda ndaj Sali Berishës për vrasjet e Azem Hajdarit, Ali Ukës dhe Remzi Hoxhës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ndërlidhur emrin e ish-presidentit shqiptar, Sali Berisha, me vrasjet e ish-biznesmenit Remzi Hoxha, Azem Hajdarit e Ali Ukës.

Në një rrëfim për Top Channel, Thaçi e lidh zhdukjen e mistershme të këtyre personave me një takim që sipas tij kishte ndodhur atë herë në mes të presidentit shqiptar të kohës Sali Berisha, presidentit serb Slobodan Millosheviç dhe atij maqedonas Kiro Gligorov.

Ajo që flitet prej afro 3 dekadash është se Remzi Hoxha i ka filmuar, por prova për zhvillimin e takimit nuk janë zbuluar kurrë. E sipas Thaçit, për këtë episod  ka folur shpesh gazetari Ali Uka. Ai, do të masakrohej në apartamentin ku jetonte në Tiranë në rrethana të mistershme.

“Sipas Ali Ukës që fliste hapur në atë kohë me mua, arsyeja e vrasjes ishte ajo se Remzi Hoxha kishte arritur të siguronte një dëshmi, video inçizim të një takimi të fshehtë mes Sali Berishës dhe Slobodan MIlloshevicit dhe Gligorovit në Ohër. Mendoj se dy njerëz e kanë pasur atë video, Azem Hajdari dhe Ali Uka, asnjëri prej tyre nuk jeton, dhe këtë mund ta thotë vetëm, Sali Berisha se ku ndodhet”, tregon Presidenti Hashim Thaçi. 

Pra, Remzi Hoxha dhe dy miqtë e tij, ishin shkëmbyer me eskortën e presidentit Berisha pranë pikës kufitare me Maqedoninë në të njëjtën ditë kur u zhvillua takimi Milloshevic-Gligorov fare pak kilometra më larg. Thaçi flet edhe për dy marrëeveshje të cilat ishin arritur atë ditë në këtë takim tre palësh.

“Sipas Aliut dhe dëshmisë që kishte siguruar në atë periudhë kishin diskutuar dy çështje apo vendosur, e para ishte marrëveshja tripalëshe mes Berishës, Milloshevicit dhe Gligorovit për marrëveshjen e kontrabandës, marrëveshja e dytë ishte bilaterale mese Sali Berishës dhe Millosheviqit shit blerja e armëve nga Shqipëria për Jugosllavinë për t’i furnizuar njësitet ushtarake dhe paraushtarake në Kroaci dhe në Bosnje por edhe njësitet tjera që qëndronin të gatshme për të kryer spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë, gjë që ndodhi”, thotë ai. I njëjti rrëfen se Azem Hajdari me këtë video po e shantazhonte ish-presidentin Berisha.

“Sipas Aliut gjithmonë një dëshmi e tillë ksihte përfunduar në duart e Azem Hajdarit që atë kohë e shantazhonte Sali Berishën dhe ato raporte ishin aq të acaruara gjë që quan në një përplasje të madhe edhe politike me pasoja për Azemin më vonë”, shton Thaçi.

Tash presidenti i Kosovës flet edhe për vizitën që krimineli serb Arkani e pati atë vit në Shqipëri.

“Për të implementuar marrëveshjen mes Sali Berishës dhe Sllobodan Millosheviqit për armatim, në atë kohë sipas Aliut kishte qëndruar në Shqipëri edhe Arkani”, thotë Thaçi, derisa flet edhe për vrasjen e Ali Ukës.

“Vrasja e Ali Ukës, sepse ai ka qëndruar deri në orët e vona me disa nga këshilltarët e Berishës e më vonë është i gjetur i vdekur nga një kushëri i tij.  Ali Uka në atë kohë përgatiste temën e diplomës, pritej të diplomonte në fund të korrikut të gushtit 1997 dhe më ka rrëfyer drejtpërdrejtë për atë se cka menodonte për të botuar në gazetën shqiptare ku punonte, një fejton për vrasjen e Remzi Hoxhën, për komunikimet që i kishte me Azem Hajdarin”, ka thënë Thaçi.

(Kosova Sot Online)