Një muaj paraburgim ndaj serbit të dyshuar për krime lufte

  • 23 October 2019 - 15:58
Një muaj paraburgim ndaj serbit të dyshuar për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit N.A për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me persona të tjerë ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile.

Gjykata ka bërë të ditur përmes një komunikate se pasi që i ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit N.A është e bazuar.

“Gjykata, vlerësoi se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri i ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet. I pandehuri N.A është shtetas edhe i Serbisë dhe ka vendbanim jashtë Kosovës, respektivisht në qytetin e Nishit në Republikën e Serbisë dhe ekziston rreziku real se i njëjti mundë apo do t`i shmanget ndjekjes penale”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

N.A. është arrestuar të mërkurën, ndërkaq dyshohet se ka kryer krime lufte ndaj popullatës civile më 21 maj të vitit 1999 në lagjen Emshir të Prishtinës.

(Kosova Sot Online)