Ja sa policë janë arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

  • 23 October 2019 - 20:55
Ja sa policë  janë arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Mbi 200 ankesa me elemente të veprës penale, gjithsej 1 mijë ankesa në IPK

Ani pse vlerësohet si një nga institucionet më të besueshme në vend, në mesin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ka zyrtarë që po e keqpërdorin uniformën.

Këtë gjë po dyshohet se e bëri edhe një pjesëtar i njësisë speciale të Kosovës.

Ky zyrtar policor u arrestua gjatë këtij muaji pasi dyshohet se e ka kryer veprën penale Detyrim.

Por ai nuk është i vetmi ndaj të cilit është paraqitur ankesë në institucionin që mbikëqyrë policinë.

Madje numri i policëve me të cilët po merret Inspektorati policor është goxha i madh.

Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi ka treguar sa ankesa janë adresuar në IPK .

“Gjatë këtij viti kemi pranuar mbi 1 mijë ankesa prej tyre 242 ankesa janë me elemente të veprës penale ndërsa rastet tjera janë dërguar në standardet profesionale në policinë e Kosovës për hetime disiplinore”.

Sipas Kelmendit, institucioni që ajo drejton ka bërë edhe arrestime dhe ka rekomanduar suspendimin e zyrtarëve policor.

“IKP deri më tani ka arrestuar 53 zyrtarë policor dhe katër qytetar dhe ka rekomanduar suspendimin e 59 zhytarëve policor prej tyre dy punonjës të stafit civil. Gjithashtu janë transferuar nga vendet e punës për shkak të hetimeve 8 zyrtarë policor”.

Ndërkohë, Kelmendi ka folur edhe për rastet e IPK-së prej të cilave janë ngritur aktakuza ndaj zyrtarëve policorë gjatë vitit të kaluar.

“Për vitin 2019 nuk mund të them numër të saktë të aktakuzave që janë ngritë për shkak se janë raste në proces. Por në vitin 2018 i  kemi pas 41 aktakuza të ngritura ndërsa gjati viti 2017 kanë qenë 57 aktakuza”.

E në këtë periudhë sipas kryeshefes së IPK-së janë duke u hetuar 282 zyrtarë policor për raste të ndryshme.

(Kosova Sot Online)