Megjithë protestat e NISMËS, KQZ ka numëruar votat e ardhura nga Serbia

  • 24 October 2019 - 11:17
Megjithë protestat e NISMËS, KQZ ka numëruar votat e ardhura nga Serbia

Procesi i numërimit të votave të ardhura nga Serbia është përmbyllur mbrëmë, pavarësisht “protestave” të koalicionit NISMA-AKR-PD. Ky koalicion kishte tërhequr mbrëmë vëzhguesit e saj, ngase numërimin e këtyre votave e konsideronin si të jashtëligjshme.

Procesi i numërimit të këtyre votave ka përfunduar mbrëmë në mesnatë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Rezultati i rreth 3 mijë votave të ardhura nga Serbia pritet që të publikohet sot gjatë ditës.

Gjatë numërimit të këtyre votave, komisionerët kanë përdorur dorëza.

Më herët 26 zyrtarë të KQZ-së kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi janë ankuar për probleme shëndetësore pasi kishin hapur zarfet e ardhura nga Serbia.

Për pasojë, procesi ishte ndërprerë deri të mërkurën, kur këto vota janë bartur për numërim në QNR.

Në shenjë proteste ndaj numërimit të këtyre votave koalicioni Nisma-AKR-PD ka tërhequr mbrëmë  vëzhguesit nga QNR.

Sipas këtij koalicioni, këto vota kanë ardhur në mënyrë ilegale në Kosovë dhe se numërimi i tyre e cenon demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Në një konferencë për media para QNR-së, Skënder Reçica i Nismës deklaroi se po tërheqin vëzhguesit “sepse s’duam të jemi pjesë e numërimit të votave të jashtëligjshme”.

Ndërkohë, sot në ora 16:00 do të fillojë numërimi i votave me kusht.

(Kosova Sot Online)