Flet eksperti i sigurisë: Kush po përfiton dhe pse po fshihet e vërteta e votave nga Serbia?

  • 25 October 2019 - 07:31
Flet eksperti i sigurisë: Kush po përfiton dhe pse po fshihet e vërteta e votave nga Serbia?

Bazuar në mënyrën se si u trajtuan dhe si u proceduan deri në fund votat e ardhura nga Serbia për zgjedhjet e 6 tetorit, analistë dhe njohësit e ndryshëm të fushës së sigurisë dhe legjislacionit zgjedhor, konsiderojnë se KQZ-ja bëri edhe një skandal tjetër të radhës me votat e ardhura nga Serbia, të cilat thuhet se e sollën helmin në Kosovë dhe po të njëjtat u pranuan si vota të rregullta.

Madje për ta finalizuar verifikimin dhe numërimin e këtyre votave, u desh që i tërë stafi i QNR-së t’i nënshtrohet gjendjes së jashtëzakonshme me maska mbrojtëse kundër helmit, duke konsideruar se votat me helmin u përgatitën nga Shërbimi Sekret Serb për ta provokuar situatën deri në eskalim.

Image
Hajrullah Tërnava

Eksperti i fushës së sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se kjo është një ndër lojërat më të pista që po luhet tani nga politika e Kosovës dhe institucionet e politizuara e të nënshtruara, të cilat nuk po duan dhe nuk e kanë kurajën ta nxjerrin akoma të vërtetën e plotë në shesh.

“Loja me këto zarfet skandaloze të kontaminuara që po tentohet me u luajt ajo lojë e pistë, me fletëvotime të cilat janë ardhur nga Serbia, me votat e listës serbe, e kanë një prapa vi e cila është e turpshme, nëse ajo lojë po luhet nga politikanët tonë, e sidomos nëse këtë lojë po e luajnë partitë që nuk e kanë kaluar pragun 5%, dhe nuk po e kanë të qartë se të gjitha këto zgjedhje po përcillen me vëmendje edhe komisione të ndryshme dhe vëzhguesit nga BE. Mos të harrojmë se në vitin 91,92,93 kishte raste të ndryshme të helmimeve të nxënësve nëpër shkolla, nëpër shkolla shtëpi, që u mbahej në ato kohëra të ndarjes së mësimit shqip nga ato shkolla ku mbahej e mësimi në gjuhën serbe, atëherë pati shumë të helmuar gjë që edhe opinioni ndërkombëtar i përcillte me vëmendje ato ndodhi, tani kjo dukuri nëse është e shpikur nga faktori shqiptar që këto zgjedhje të etiketohen si të kontaminuara-helmuese, që si pretekst do ta kishte efektin e ripërsëritjes së zgjedhjeve, për shkak të disa partive që kanë kaluar keq, mendoj se një sjellje e tillë do të ishte tepër e rrezikshme, sepse tani një gjë e tillë mundë ti zverdh ato helmime të viteve të 90-ta dhe të na sjellë dëme të mëdha, duke minimizuar të vërtetën e kontaminimeve dhe helmimeve të viteve të 90-ta për të cilat ishin të njoftuar edhe faktori ndërkombëtar”, tha Tërnava për “Kosova Sot Online”.

Sipas Tërnavës, nëse ky skenar del kështu i manipuluar nga vendorët, partitë politike kosovare për interesa të pista dhe nuk konstatohet se vërtetë zarfet kanë qenë të kontaminuara me helme nga Serbia, atëherë gjithçka shkon në favor të politikës serbe dhe të Aleksandër Vuqiqit.

“Kërkesa e Vuçiqit që të shkohet deri në fund me analiza ndërkombëtare të këtyre zarfeve helmuese, lënë me dyshua se a mos krejt kjo lojë është e shpikur nga vendorët? E nëse është luajtur loja tjetër e pistë me Listën Serpska, që mos të njihen votat e serbëve nga Serbia, për hir të qëllimeve politike, që iu konvenon shqiptarëve në këtë rast, e kundër Listës Serbe, por të llogaritet më shumë në votat e serbëve të Kosovës, mendoj se edhe kjo e ka qëllimin e keq politik”, shtoi Tërnava për “Kosova Sot Online”.

Tërnava kërkon që kjo çështje të mos mbyllet dhe të mbetet në errësirë e pa zbardhur, sepse deri më tash vërtetë është bërë lojë e pistë me këto vota dhe me helmin që u tha se doli nga zarfet e tyre.

“Drama e këtyre zarfeve me vota nga Serbia akoma nuk ka përfunduar edhe pse pati analiza të para në ISHP, në dy versione kontradiktore të analizave. I pari u tha që nuk pati shenja dhe simptome të helmeve, kurse i dyti, bëhet fjalë për helme që përdoren në kulturat bujqësore! Me këtë fakt tani qartë po shihet se po tentohet të minimizohet ky provokim kriminal i inskenuar, edhe nëse ka ardhur nga Serbia apo i njerëzve politik të Kosovës, që po duan të arrijnë qëllime vetë për agjenda politike dhe mbajtje të pozitës neutrale me Listën Serbe të Aleksandër Vuçiqit, për të mos i tensionuar raportet”, tha Hajrullah Tërnava për “Kosova sot Online”.

Prandaj sipas tij, edhe prokuroria vendore po e mban larg opinionit publik rezultatin e hetimit, dhe të analizave të sakta që janë bërë deri më tani rreth këtij skandali.

“Prokuroria e Kosovës ka kohe që po deklarohet se po i vazhdon hetimet, kurse mostrat e zarfave nga Serbia, sipas Prokurorisë, janë dërguar për ekzaminim në një prej laboratorëve në Evropë, por nuk saktësohet në cilin shtet dhe çfarë niveli të ekspertizës bëhet fjale, derisa helmet e tilla munde të jenë prodhime të sofistikuara të helmeve luftarake që përdoren nga shërbimet e huaja sekrete dhe ushtarake. Edhe nëse është bërë një tentim i tillë i hetimeve për një ekzaminim në laboratorët e një shteti në Evrope, edhe që nuk e tregojnë shtetin në cilin janë dërgua, ato deri më tani ishte dashur të kryhen e jo të zgjasin deri në pa kufi, sepse këtë rast po e shfrytëzon Serbia dhe po i demanton me fakte këto të dhëna të KQZ-së”, përfundoi Hajrullah Tërnava për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)