Arrestimet në Kosovë, vjen akuza: Ja pazaret politike me Gjykatën Speciale

  • 25 October 2019 - 07:38
Arrestimet në Kosovë, vjen akuza: Ja pazaret politike me Gjykatën Speciale

“Kjo vonesë dhe harresë ndaj krimeve serbe nuk është e rastësishme, sikurse që nuk është i rastësishëm injorimi dhe lërja në harresë të plotë e dëmeve të pallogaritshme të luftës nga politika e inkriminuar dhe sistemi i drejtësisë tërësisht i dështuar dhe i kontrolluar nga nëntoka kriminale”, tha Analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse është vlerësuar pozitivisht, fillimi i vonuar i arrestimit i ndonjë të dyshuari serb për krimet e luftës në Kosovë, sikur ishte rasti i fundit në qendër të Prishtinës i arrestimit të qytetarit serb, Nenad Arsiq, analistët e politikës akuzojnë krerët e institucioneve të Kosovës se qëllimisht dhe me prapavijë të përfitimeve personale, kanë ndikuar në drejtësinë e Kosovës për ta lënë anash trajtimin e krimeve të luftës.

Image
Florim Zeqa

Analisti politik, Florim Zeqa thotë se kjo përgjegjësi bie në radhë të parë mbi politikën, gjegjësisht mbi kryeministrat, ministrat e drejtësisë, prokurorët dhe gjyqtarët servil ndaj pushtetarëve të korruptuar që nuk kanë guxuar ta marrin veprime dhe të ndjekin krimet, por që tani pas më shumë se një dekade shtet i pa varur po zgjohen nga gjumi.

“Si pasojë e kësaj, u desh të kalojnë hiq më pak se gati 12 vite që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe vetëm tash Prokuroria Speciale të fillon kinse ndjekjen dhe kapjen e të akuzuarve dhe dyshuarve për krimet e luftës të cilët lirshëm kanë shëtitur gjithandej Kosovës, madje edhe duke siguruar dyshtetësinë kosovare dhe atë serbe. Heshtja kaq e gjatë e krimeve serbe të luftës, ka të ngjarë të jetë bërë me qëllim të caktuar, që ky proces të shfrytëzohet për pazare politike me Serbinë dhe me akuzat në pritje nga Gjykata Speciale për disa nga eksponentë e nivelit të lartë të UÇK-së, të cilët edhe i kanë marr ftesat për intervistim”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti Zeqa thotë se askush nuk mundë ta ia ndryshojë bindjen e krijuar për këtë, sepse arrestimet ndaj serbëve të ditur e të denoncuar nga qytetarët për krimet e luftës, nuk kanë ndodhur deri tani, por po bëhen pikërisht në mënyrë paralele me ftesat e Speciales për ish pjesëtarët e UÇK-së, dhe këtu hetohet ashiqare ndikimi i politikës.

“Nuk ka sesi të vlerësohet ndryshe veçse pazar dhe kundërpërgjigje e ftesave të Gjykatës Speciale, arrestimi dhe caktimi i masës së paraburgimit i të pandehurit Nenad Arsiq nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me persona të tjerë ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile të Kosovës, i cili është shtetas edhe i Serbisë dhe ka vendbanim jashtë Kosovës, respektivisht në qytetin e Nishit, e ndërkaq dyshohet se ka kryer krime lufte ndaj popullatës civile më 21 maj të vitit 1999 në lagjen Emshir të Prishtinës, por që deri më sot drejtësisë kosovare nuk i ra "ndërmend" për të! Kjo vonesë dhe harresë ndaj krimeve serbe nuk është e rastësishme, sikurse që nuk është i rastësishëm injorimi dhe lërja në harresë të plotë e dëmeve të pallogaritshme të luftës nga politika e inkriminuar dhe sistemi i drejtësisë tërësisht i dështuar dhe i kontrolluar nga nëntoka kriminale”, shtoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sidoqoftë, Zeqa nuk beson që ky paralelizëm do të ketë sukses, dhe ata që e i kanë menduar do të arrijnë ta realizojnë plotësisht pazarin me Gjykatën Speciale, sepse vala e ftesave të ardhura deri më tani për intervistim, shumë shpejtë mundë të kalojë në shpalljen e aktakuzave dhe fillimit të arrestimeve për të dyshuarit.

“Loja dhe pazaret e politikës së inkriminuar me sistemin e drejtësisë, të filluara një dekadë më parë tashmë janë duke hyrë në fazën finale. Mbetët të shihet në javët dhe muajt në vazhdim, se kush do të arrijë të shpëtojë dhe kush do të digjet nga "valët" përcëlluese të Dhomave të Specializuar të Gjykatës Speciale”, përfundoi analisti, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)