Vjen goditja e rëndë për Hashim Thaçin dhe Sali Berishën: Ja rastet që shkojnë në Speciale

  • 26 October 2019 - 07:28
Vjen goditja e rëndë për Hashim Thaçin dhe Sali Berishën: Ja rastet që shkojnë në Speciale

“Për arrestimin dhe zhdukjen e Behadin Allaqit, bashkëpunëtorët e ngushtë të vet z. Thaçi gjatë periudhës së luftës, e mbajnë përgjegjës vet atë, pra z. Thaçi, dhe mendoj se ky rast edhe do të jetë objekt trajtimi nga Gjykata Speciale”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Opinioni publik kosovar vazhdon të jetë i shqetësuar nga akuzat që po shkëmbejnë mes tyre Hashim Thaçit dhe Salih Berisha për vrasjet misterioze të figurave të rëndësishme të luftës për liri të Kosovës, e të cilat për më shumë se 20 vite mbeten të pa zbuluara dhe krime të pa ndëshkuara nga drejtësia.

Analisti politik, Nexhat Haziri konsideron se këto raste do të mundë të ndiqen dhe zbardhen vetëm nga Gjykata Speciale, derisa Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, edhe pse mundë të jenë njerëzit më të informuar për zbardhjen e kësaj të vërtetë, ata po i përdorin rastet për qërim hesapesh mes tyrepër interesat personale, kurse drejtësia sikur nuk ekziston dhe nuk është e interesuar, ose nuk ka guxim të merret me këto akuza.

Image
Nexhat Haziri

“Janë akuza që në vazhdimësi janë në bërë në relacionin Thaçi-Berisha për gjithë periudhën kur Berisha, humbi zgjedhjet në Shqipëri, dhe presidenti Thaçi kaloi në mbështetjen e Edi Ramës dhe bashkëpunimit në mes tyre mbi përkrahjen e ideve dhe planeve ruso-serbe mbi ndarjen e Kosovës, gjoja si një marrëveshje përfundimtare më Serbinë”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, armiqësia mes Berishës dhe Thaçit e ka burimin shumë të largët, dhe tani është gjetur koha kur ata po e akuzojnë njëri-tjetrin, duke u përpjekur që t’ia zbardhin njëri-tjetrit involvimin kinse në krime, vrasje të karakterit politik, për të cilat nuk ka vepruar drejtësia në Shqipëri, e për të cilat disa nga ato, mbeten nën juridiksionin e Speciales për krimet e luftës në Kosovë.

“Këto akuza dhe kundër akuza në relacionin Thaçi-Berisha, shpërfaqin edhe hasmëritë e vjetra që nga vitet e ’90, hasmëri që kanë burimin te interesat personale e grupore, ideologjike por edhe të biznesit se sa palët kanë pasur ndonjë përkushtim për çështjen kombëtare sidomos në atë kohë të çlirimit të Kosovës. Për vrasjet e Remzi Hoxhës, Ali Ukajt që z. Thaçi ia atribuon fajësinë z. Berisha, nuk besoj se do të përfshihen në trajtim nga Gjykata Speciale. Këto dy vrasje nuk janë trajtuar asnjëherë nga drejtësia shqiptare, pasi ka munguar vullneti i politikës atje qoftë kur qeverisja ishte nga PD-ja apo PS-ja, dhe kjo të bënë të kuptosh se edhe Tirana zyrtare në atë kohë ka mundur të jetë e involvuar në këto dy raste”.

“Ndërsa për vrasjen e Azem Hajdarit është duke u zhvilluar një proces gjyqësor në Shqipëri dhe si pjesë e akuzës për pjesëmarrje në këtë vrasje është i ekstraduari nga Turqia Izet Haxhia. Për arrestimin dhe zhdukjen e Behadin Allaqit, bashkëpunëtorët e ngushtë të vet z. Thaçi gjatë periudhës së luftës, e mbajnë përgjegjës vet atë, pra z. Thaçi, dhe mendoj se ky rast edhe do të jetë objekt trajtimi nga Gjykata Speciale”, përfundoi analisti politik, Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)