Dhjetë të vdekur nga vërshimet në Japoni

  • 26 October 2019 - 08:22
Dhjetë të vdekur nga vërshimet në Japoni

Numri i viktimave nga vërshimet e mëdha dhe rrëshqitjet e dheut në pjesën lindore të Japonisë ka shkuar në dhjetë. Përpos personave të vdekur, katër të tjerë janë shpallur të zhdukur, vetëm dy javë pasi i njëjti rajon u godit nga një tajfun i fuqishëm.

Rrëshqitjet e dheut ndodhën kryesisht në Chiba, në lindje të Tokios, dhe në rajonin e Fukushimas. Këto vende u goditën nga stuhia e tretë e shiut brenda gjashtë javësh. Në disa pjesë të Japonisë, për gjysmë dite pati reshje shiu sa për një muaj të zakonshëm.

Autoritetet kanë lëshuar urdhër për evakuim në rajonin e goditur nga tajfuni i këtij muaji. Në qytetin Ushiku ra shi në sasi prej 283 milimetrash për vetëm 12 orë. Ndonëse stuhia u largua nga territori i Japonisë në mëngjesin e së shtunës, qindra njerëz ende po qëndrojnë në qendrat e përkohshme të strehimit. Disa shërbime të trenave dhe autobusëve ende nuk janë funksionale.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, e mbajti të shtunën një takim emergjent me task-forcën për fatkeqësi, duke bërë thirrje që të bëhen përpjekje maksimale për të realizuar operacione të suksesshme shpëtimi dhe për t’i vlerësuar dëmet e shkaktuara.

Autoritetet paralajmëruan se vendi mund të goditet nga vërshime dhe rrëshqitje të tjera të dheut në pjesën lindore dhe qendrore. Ndryshe, së paku 88 njerëz vdiqën dhe më shumë se 300 të tjerë u plagosën nga tajfuni para dy javësh, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)