Videot e grupeve pro-turke në Siri ngjallin dyshime për krime lufte

  • 26 October 2019 - 09:53
Videot e grupeve pro-turke në Siri ngjallin dyshime për krime lufte

Thirrjet për hetime për krime lufte kundër grupeve të armatosura pro-turke në Siri janë duke u shtuar pas publikimit të disa pamjeve të reja, ku luftëtarët e lidhur me Ankaranë shihen duke i torturuar robërit e tyre dhe duke i gjymtuar trupat e vdekur.

Pamjet e krimeve të tmerrshme, të cilat besohet se janë kryer nga grupet arabe në Sirinë veriore, po qarkullojnë gjerësisht në rajonet kurde të vendit, duke e shtuar frikën për luftime të reja dhe thellim të përçarjeve etnike në rajon, ndonëse mes palëve të konfliktit është arritur një armëpushim që duket mjaft i brishtë.

Në një video që besohet se është publikuar nga një grup i përkrahur nga Turqia shihet një luftëtar kurd i zënë rob që tërhiqet zvarrë nga qafa përderisa njerëzit rreth tij e kërcënojnë se do t’ia heqin kokën. Në një video tjetër shihen disa persona duke ua prerë gjymtyrët kufomave të luftëtarëve kurdë.

Zyrtarët kurdë, bashkë me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara në Siri, James Jeffrey, i kanë dënuar këto pamje. Diplomati amerikan ka thënë se ato paraqesin krime të mundshme lufte, ndërsa kurdët thonë se ato janë dëshmi e spastrimit etnik.

Deri më tash, rreth 170 mijë kurdë janë zhvendosur nga zona e konfliktit përgjatë kufirit me Turqinë pas operacionit që zgjati një javë e i cili kishte për qëllim largimin e kurdëve drejt pjesës së brendshme të Sirisë.

Ankaraja i ka mohuar akuzat se ushtria turke ka përdorur fosfor të bardhë si mjet helmues, ndërsa zyrtarët ushtarakë kanë thënë se do t’i hetojnë raportimet për ekzekutime, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)