Abazi: Reciprociteti, menjëherë pas konstituimit të Qeverisë

  • 26 October 2019 - 11:06
Abazi: Reciprociteti, menjëherë pas konstituimit të Qeverisë

Pavarësisht thirrjeve të pandalshme të bashkësisë ndërkombëtare që taksa ndaj produkteve serbe e boshnjake të hiqet, autoritetet kosovare po vazhdojnë të qëndrojnë të heshtura karshi këtij procesi. Në prag të formimit të qeverisë së re, partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit – Lëvizja Vetëvendosje, është deklaruar se taksën do ta heqë vetëm kur të vendosë reciprocitet të plotë ndaj shtetit serb.

Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në një deklaratë për “Zërin” ka theksuar se partia e tij, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, sapo të vijë në krye të Qeverisë do të vendosë reciprocitet të plotë ndaj produkteve serbe.

“Lëvizja Vetëvendosje është e përcaktuar qartazi që reciprociteti i plotë ndaj Serbisë është forma se si do të përkthehet tarifa aktuale për mallrat serbe e boshnjake. Nga ky pozicion nuk ka lëvizje, sepse ky reciprociteti i plotë është taktikë e njohur e shteteve dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare ndërmjet shteteve që kanë probleme të tilla e që kërkojnë zgjidhje”, ka thënë ai.  

Abazi po ashtu ka bërë të ditur se procesi i vendosjes së reciprocitetit do të bëhet në një periudhë afatshkurtër, në bashkëkoordinim me LDK-në, si kandidate e mundshme për koalicion.

“Gjithë ky proces do të shoqërohet me një përgatitje të saktë të dialogut, i cili ka disa faza dhe në bashkërendim me partnerin e koalicionit reciprociteti do të përfshihet si pjesë e raporteve Serbi – Kosovë dhe kjo mund të bëhet në një periudhë shumë të shkurtër. Mirëpo ne në këtë fazë, meqë jemi pranë certifikimit të rezultateve, para bashkërendimit të programeve me LDK-në dhe kjo assesi nuk është çështja thelbësore për të cilën mund të bisedohet në këtë moment. Mirëpo ky vendim nuk do të vonohet shumë, pas konsolidimit të Qeverisë”, ka shtuar ndër të tjera ai. 

Në një vijë me Lëvizjen Vetëvendosje në këtë pikë qëndron edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Ish-deputeti i kësaj partie Driton Selmanaj në një deklaratë të mëhershme për “Zërin” pati potencuar se nëse partia e tij vjen në pushtet ajo do të punojë që të vendosë reciprocitet të plotë ndaj shtetit serb.

Sipas tij, vetëm pasi të vendoset ky reciprocitet mund të flitet për heqjen e taksës. 

“Ne si LDK e kemi qëndrimin e qartë tashmë. Ne do të ndërmarrim reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, ndaj gjithçkaje, kjo është njëkohësisht masa më e fuqishme që do t’i vendoset Serbisë. Ne normalisht se nuk do të mendojmë që menjëherë ta heqim taksën, sepse kjo taksë ka krijuar një realitet të ri në Kosovë. Pra ajo që ne jemi të interesuar është që të angazhohemi të vendosim reciprocitet të plotë me lëvizjen e lirë të njerëzve, me lëvizjen e veturave, me njohje të diplomave, por edhe të të gjitha marrëveshjeve, që i kemi arritur deri më tani me shtetin serb”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)