Një milion njerëz protestojnë për reforma në Kili

  • 26 October 2019 - 11:09
Një milion njerëz protestojnë për reforma në Kili

Rreth një milion njerëz kanë protestuar në mënyrë paqësore në kryeqytetin e Kilit, Santiago. Ata i bënë thirrje qeverisë që ta luftojë pabarazinë në shoqëri.

Protestuesit ecën disa kilometra përreth qytetit duke bërë thirrje për reforma, duke valëvitur flamuj dhe duke bërë zhurmë me mjete të ndryshme.

Kryetarja e Santiagos, tha se ky ishte një moment historik për vendin që është përfshirë nga protestat masive qe disa ditë.

Në anën tjetër, presidenti i Kilit, Sebastian Pinera, tha se qeveria e ka dëgjuar mesazhin. “Ne të gjithë kemi ndryshuar. Marshi i sotëm paqësor, në të cilin kilianët kanë kërkuar një vend më të drejtë dhe më të bashkuar, hap rrugë shprese për të ardhmen”, shkroi ai në Twitter.

Kryetarja e kryeqytetit tha se një milion njerëz kanë marshuar në Santiago, shifër që paraqet më shumë se 5 për qind të popullsisë së Kilit. Ajo tha në Twitter se protestuesit e përfaqësuan një ëndërr për një Kili të ri.

“Ne po kërkojmë drejtësi, sinqeritet dhe qeveri etike” tha protestuesi 38 vjeç, Francisco Anguitar, për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Protestat kishin filluar për shkak të rritjes së çmimit në transportin hekurudhor, por vendimi për rritje u anulua më vonë nga qeveria. Së paku 16 njerëz kanë vdekur në këto kryengritje, ndërsa policia i ka arrestuar më shumë se 7 mijë protestues, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)