Kurti: S’jemi parë 14 muaj me Ramën, nuk është për shkëmbim territoresh me Serbinë

  • 26 October 2019 - 13:19
Kurti: S’jemi parë 14 muaj me Ramën, nuk është për shkëmbim territoresh me Serbinë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë një vizite në Tiranë është takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, pas një kohe të gjatë.

Vetë Kurti kishte deklaruar se raportet në mes tij dhe Ramës ishin ftohur për shkak të mbështetjes që ky i fundit i kishte dhënë Hashim Thaçit në idenë për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por duket se në këtë takim disa orësh dy liderët kanë pasur kohë të sqarohen rreth shumë gjërave, përfshirë këtu edhe qëndrimin për kufijtë, të cilin Rama sipas asaj që thotë Kurti e ka ndryshuar.

“Ne jemi njerëz të ndryshëm e politikanë të ndryshëm, po kjo s’na pengon të bashkëpunojmë. Do të vijojmë mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive dhe mbi të gjitha zbatimin e marrëveshjeve. Dialogun Kosovë Serbi do ta drejtoj unë. Kryeministri shqiptar nuk është për shkëmbim territori”, ka thënë kreu i VV’së pas takimit që ka pasur me Edi Ramën.

Tutje Kurti nuk ka treguar nëse kanë diskutuar edhe për të pasur një ministri të përbashkët dy qeveritë.

“Nuk kemi folë për organigramat. As për padinë e Ramës ndaj Haradinajt”, është shprehur Kurti.

(Kosova Sot Online)