Turqia: Propozimi gjerman për Sirinë nuk është realist

  • 26 October 2019 - 14:21
Turqia: Propozimi gjerman për Sirinë nuk është realist

Ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha të shtunën se Turqia nuk e vlerëson si realist propozimin e Gjermanisë për krijimin e një zone ndërkombëtare të sigurisë në pjesën verilindore të Sirisë.

Duke folur në një konferencë të përbashkët me homologun e tij gjerman, Heiko Maas, Cavusoglu tha gjithashtu se Turqia nuk do të tolerojë ndonjë shkelje të të drejtave të njeriut në verilindje të Sirisë dhe se do të zhvillojë hetime për të gjitha dyshimet për këto shkelje.

Turqia dërgoi trupa ushtarake në Siri këtë muaj për t’i larguar kurdët nga zona kufitare. Luftimet tash për tash janë ndërprerë pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Turqia gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje me Rusinë që armëpushimi me kurdët të zgjatet dhe që forcat e të dyja vendeve të zhvillojnë patrulla të përbashkëta në brezin kufitar.

Deri më tash, rreth 170 mijë kurdë janë zhvendosur nga zona e konfliktit përgjatë kufirit me Turqinë pas operacionit që zgjati një javë e i cili kishte për qëllim largimin e kurdëve drejt pjesës së brendshme të Sirisë.

Ankaraja i ka mohuar akuzat se ushtria turke ka përdorur fosfor të bardhë si mjet helmues, ndërsa zyrtarët ushtarakë kanë thënë se do t’i hetojnë raportimet për ekzekutime, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)