Meta mesazh të koduar Ramës: Zaevi dha dorëheqjen, edhe ne duhet të kemi reflektim

  • 26 October 2019 - 14:42
Meta mesazh të koduar Ramës: Zaevi dha dorëheqjen, edhe ne duhet të kemi reflektim

Presidenti Ilir Meta nuk ka nguruar që në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovkski, ti përcjellë edhe një mesazh të koduar kryeministrit Rama.

Meta e cilësoi pjekuri vendimin e Zaevit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme pas mos marrjes së negociatave duke lënë të kuptohet se edhe Rama duhet ta bëjë një gjë të tillë.

“Kemi reflektim në Maqedoni, përmes zgjedhjes, që tregon dhe pjekurinë e tyre. Edhe te ne duhet të kemi një reflektim të menjëhershëm dhe të lexojmë me vëmendje të gjithë detyrimet që duhet t’i kishim përmbushur dhe që duhet t’i përmbushim.

Duhet të forcojmë raportet dhe bashkëpunimin me vendet kritike, Francë, Holandë, Danimarkë, Spanjë, etj. Duhet t’i bindim për seriozitetin tonë.

Nuk mjafton të themi Franca ka këto probleme të brendshme dhe po na përdor ne, nëse ne jemi një burim i shqetësimeve të brendshme të tyre, sa i takon krimit, azilkërkuesve.

Ne duhet të reagojmë me shumë përgjegjshmëri dhe në mënyrë të besueshme, në mënyrë që këto shqetësime të shuhen në javët e muajt në vijim.

Dhe të bëjmë të qartë që ndërsa jemi të gatshëm të përmbushim çdo detyrim, çdo ide tjetër dhe informale qoftë, çdo alternativë tjetër, është e papranueshme dhe është e padobishme”, tha Meta.

(Kosova Sot Online)