Prokuroria nis gjuetinë e shtrigave, s’heton dallaveret me veturën e Morenës

  • 26 October 2019 - 18:26
Prokuroria nis gjuetinë e shtrigave, s’heton dallaveret me veturën e Morenës

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se ka nisur hetimet ndaj zyrtarëve të Doganës së Kosovës, të cilët zbuluan skandalin e lirimit nga përgjegjësia për shamngie tatimore me rastin e importimit të një veture nga Morena Taraku. Rasti ishte mbyllur me urdhër të Prokurorisë, duke konstatuar se gjatë importit nuk ishte kryer shmangie tatimore, pavarësisht se Dogana e kishte konstatuar një gjë të tillë.

Lajmin për nisjen e hetimeve e ka konfirmuar për media ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit në Themelore, Kujtim Munishi.

Munishi ka thënë se zyrtarët e Doganës po hetohen për nxjerrje të dokumentit zyrtar.

“Kanë filluar hetimet nga Doganat. Informacioni ka dalë. Hetimet janë duke vazhduar me autorizim të Prokurorisë për nxjerrje të dokumentit zyrtar”, ka thënë Munishi për media.

Gjate ditës se djeshme ka pasur reagime nga shoqëria civile për këtë rast.

Juristja e specializuar në fushën e mediave, Flutura Kusari ka thënë se prokurori Shpend Krasniqi me ndihmën e prokurorit Kujtim Munishi janë duke tentuar ta shkelin Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

“Prokurori i parë që në mënyrë flagrante është duke tentu me e shkelë me dy këmbë Ligjin Fantastik për Mbrojtjen e Sinjalizuesve është prokurori Shpend Krasniqi, si duket me ndihmën e prokurorit Kujtim Munishi”, ka shkruar Kusari.

Ajo ka rikujtuar edhe një herë se ligji e ndalon në mënyrë specifike nisjen e hetimeve kundër sinjalizuesve dhe se ndjekja e tyre është vepër penale.

“Këta sinjalizues kemi me i mbrojtë”, ka shkruar tutje Kusari.

Ligji për sinjalizuesit garanton mbrojtje për të gjithë zyrtarët shtetërorë të cilët, me qëllim interesin e publikut, zbulojnë të dhëna rreth pretendimeve për abuzim me detyrën.

Ky ligj iu ofron mbrojtje nga të gjitha format e përndjekjes ndaj atyre që për interes publik shpalosin informacion i cili vë në dukje se është duke ndodhur apo ka gjasë të ndodhë ndonjë keqpërdorim.

Neni 6 i Ligjit për Sinjalizuesit pengon çfarëdo forme të pengimit të sinjalizimit.

“Çdo veprim ose mosveprim që synon pengimin e raportimit apo shpalosjes në interes publik, është i pavlefshëm dhe zyrtari përgjegjës apo cilido person tjetër në rastet përkatëse ndiqet penalisht sipas dispozitave penale në fuqi në Kosovë”- përcaktohet në Ligjin për Sinjalizuesit.

Për më tepër, hakmarrja ndaj Sinjalizuesve është edhe vepër penale e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Gazeta Express ka raportuar më 17 tetor se Morena Taraku kishte tentuar të fusë në Kosovë një makinë superluksoze të tipit Bentley që kushton hiç më pak se 200 mijë euro duke bërë një dallaver.

Kësaj përpjekje të 26 vjeçares, që është nga më të njohurat në botën e showbizt shqiptar, i kishte rënë rënë në fije Dogana e Kosovës duke e zbuluar se Morena ka tentuar t’ ikën tarifës doganore prej 5 mijë eurosh duke e deklaruar veturën si të re, e në fakt vetura ka qenë e përdorur.

Vetura sipas burimeve  është e tipit Bentley dhe kap vlerën e 200 mijë eurove, dhe sipas dokumentacioni është e regjistruar në një datë më të hershme, para dy muajve, dhe nuk është e re ashtu siç është deklaruar nga pronarja.

Me këtë rast, për shkak të deklarimit të pasaktë, ajo është referuar nga Dogana në Prokurori, në të cilën thuhet se është marrë në pyetje.

 “Duke iu referuar rastit te trajtuar nga ju, ju informojmë se  kjo veture është deklaruar si e re por duke u bazuar ne dokumentacionin është konstatuar se automjeti është i përdorur dhe se vetura nuk e gëzon trajtimin si veturë e re.  Vetura ne procedure regjistrimin e pare e ka me date 22.07.2019 (mbi dy muaj nga tani). Pasi importuesi nuk deklaron sakte numrin tarifor dhe automjeti është i përdorur, nen dyshimin per pagese me te ulet te detyrimeve doganore dhe vlera e detyrimeve doganore e tejkalon shumen 5000 euro. Rasti per shkak te deklarimit te pasaktë te dhe shmangies se konstatuar mbi 5000 euro është referuar ne Prokurori nga Sektori i Hetimeve të DK-së.”, thuhet në përgjigjen e Doganës.

(Kosova Sot Online)