‘Mashtrimet’ e BE-së, ky është paralajmërimi i rëndë për Kosovën

  • 27 October 2019 - 07:23
‘Mashtrimet’ e BE-së, ky është paralajmërimi i rëndë për Kosovën

“Mirëfilli dihet se BE asnjëherë nuk ka pasur qasje të unifikuar në raport me shtetet e rajonit. Brukseli zyrtar nuk i ka ndjerë si pjesë të saj Prishtinën, Tiranën, Shkupin, Sarajevën, Beogradin e Podgoricën. Edhe tani kur nuk arritën ti çelin negociatat Tirana e Shkupi, BE-ja dëshmojë se është në krizë”, tha Maloku për “Kosova Sot Online”.

Bazuar në situatën nëpër të cilën po kalojnë tani shtetet e Ballkanit, pas lojës që BE-ja e luajti me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke mos ju dhënë marrin statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, analistët politikë dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe proceseve integruese, kërkojnë qeverisa e re e Kosovës, të tregohet shumë më e kujdesshme në procesin e rifillimit të bisedimeve me Serbinë, për të mos nxituar të lëshohet në kompromise mashtruese të imponuara nga Bashkimi Evropian.

Pasiqë, sipas analistëve Kosova tani e ka një përvojë të hidhur, testin e parë që kishte me premtimin për liberalizimin e vizave dhe demarkimin e kufirit me Malin e Zi, por që pas këtij veprimi të përmbushur nga ana e Kosovës, përsëri ky proces është future në rrugë pa krye dhe nuk po i dihet fundi.

Lidhur me këtë situatë, për “Kosova Sot Online” ka folur njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, analisti politik, Albinot Maloku.

Maloku ka thënë për “Kosova Sot Online” se para se të thuhet se çfarë qasje duhet të ketë Republika e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian, e posaçërisht dialogut me Serbinë të lehtësuar nga BE, duhet të pasur parasysh dhe shpjeguar gjendjen brenda vetë BE-së dhe raportit të saj karshi të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, e që sipas Malokut e ka thënë edhe eksperti i njohur Bodo Veber vite më parë, se Ballkani Perëndimor kurrë nuk ka qenë prioritet i BE-së.

Këtu sipas Malokut duhet pasur kujdes edhe në qasjen e vendeve të Ballkanit karshi disa kërkesave që vijnë nga BE-ja.

Image
Albinot Maloku

“Bashkimi Evropian, jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e rajonit, më shumë ka qenë çorientim sesa orientim i zgjidhjes së problemeve të cilat i kanë rrymuar këto vende. Edhe vet Bashkimi Evropian është duke u përballur me kriza të njëpasnjëshme dhe në raport me shtetet e rajonit tonë nuk ka konkretizuar asnjë rrugëtim të qartë. Prej konferencës BE-Ballkani Perëndimor të nisur në vitin 2000 e deri tek këto iniciativat e Gjermanisë, e njohur si VB6, nuk kanë prodhuar asnjë efekt i cili do të mund të vlerësohej si rrugëtim real i shteteve të Ballkanit drejt euro-integrimeve. Mirëfilli dihet se BE asnjëherë nuk ka pasur qasje të unifikuar në raport me shtetet e rajonit. Brukseli zyrtar nuk i ka ndjerë si pjesë të saj Prishtinën, Tiranën, Shkupin, Sarajevën, Beogradin e Podgoricën. Edhe tani kur nuk arritën ti çelin negociatat Tirana e Shkupi, BE-ja dëshmojë se është në krizë. Nuk duhet fajësuar në asnjë mënyrë presidentin Macron. Ai që në krye të herës kishte treguar se cili është angazhimi i tij në raport me krijesën e quajtur Bashkimi Evropian. Reforma e rregullim i BE-së, ky ishte premtimi”, tha Maloku për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, Republika e Kosovës e cila ka një dialog të menaxhuar nga BE me Serbinë, duhet të ndjek hapat veç të proklamuar edhe nga kandidati për Kryeministër, Albin Kurti i cili është zotuar dhe po e mbron parimin e vlerësimit paraprak te zbatimit dhe efekteve që kanë pasur marrëveshjet e nënshkruara deri më tani me Serbinë, e të ndërmjetësuara nga BE- në cilësinë e lehtësuesit dhe të garantuesit të zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

“Të rishikohen marrëveshjet e bëra deri më tani, Serbisë ti prezantohet fatura e dëmeve të të gjitha llojeve të shkaktuara gjatë luftës së Kosovës, me theks të veçantë dhe të konkretizohet një datë finale nga e cila do të mund të kishim një përmbyllje de jure e de fakto të llojit aktual të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa sa i përket punëve e angazhimeve të brendshme të shteti të Kosovës, Qeveria të mos bëjë asgjë si pasoj e kushteve të vendosura nga BE, por aspirata e qëllimi kryesor të jetë nevoja e interesi i qytetarit dhe shtetit të Kosovës. BE ka probleme me veten e vet dhe kjo duhet mirëkuptuar edhe nga Kosova, mirë nuk i falët në asnjë mënyrë Kosovës të sillet me mos respekt ndaj vetës së vet”, tha Maloku për Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Maloku, ngushëllimi i prodhuar nga Aleksandër Soros, se BE pas mos çeljes së negociatave me Tiranën e Shkupin tregoi për dozë albanofobie brenda Bashkimit Evropian, është tjetër veç se një broçkull pa shije.

“Këto e ngushëllime tjera të ngjashme u ndihmojnë garniturave qeverisëse shqiptare të kriminalizuara, e që i kanë gërryer dinjitetin shqiptarëve me nepotizma politik e familjar e korrupsion të niveleve infektuese, e për pasojë para botës e kanë prezantuar shoqërinë shqiptare si kriminale, kurse brenda nesh thonë se të tjerët kanë albanofobi, se ne jemi të mirë. BE është në probleme të veta, e ne duhet ti kthehemi vetës pa e gënjyer për asgjë”, përfundoi njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)