Belgjika pritet të bëhet për herë të parë me kryeministre

  • 27 October 2019 - 08:07
Belgjika pritet të bëhet për herë të parë me kryeministre

Politikania liberale, Sophie Wilmes, pritet të bëhet gruaja e parë kryeministre e Belgjikës, kanë shkruar të shtunën gazetat lokale.

Ajo pritet që në nëntor të zëvendësojë kryeministrin në largim Charles Michel, i cili është emëruar në postin e presidentit të Këshillit Evropian, një nga top pozitat në Bashkimin Evropian, transmeton Reutersi raportimet e medieve lokale belge.

Wilmes aktualisht mban postin e ministres së Buxhetit në qeverinë e udhëhequr nga Micheli.

Ajo do të drejtojë një administratë kujdestare derisa partitë politike të vendit të dakordohen për qeverinë e re. Deri më tani ata kanë dështuar të bëjnë këtë që nga zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në maj.

Pas zgjedhjeve të 2010-ës, Belgjika ishte drejtuar nga një administratë kujdestare për më shumë se një vjet e gjysmë, duke shënuar kështu edhe rekord për një vend që s’është në luftë.

Belgjika, anëtare e BE-së dhe e zonës së valutës euro, është pothuajse barabartë e ndarë në rajonet holandisht dhe frëngjisht-folëse. Ka edhe një distrikt më të vogël gjermano-folës. Nuk ka parti nacionale, dhe votuesit zgjedhin përfaqësuesit nga anët e tyre të ndarjes gjuhësore.

(Kosova Sot Online)