Vizat, paralajmërimi për Qeverinë e re: Ja karta e Kosovës ndaj BE-së

  • 28 October 2019 - 16:25
Vizat, paralajmërimi për Qeverinë e re: Ja karta e Kosovës ndaj BE-së

“Qeveria e re e Kosovës e ka një kartë që duhet ta shfrytëzoj për liberalizim të vizave. Ne e heqim taksen ndaj Serbisë, kurse ju na i hiqni vizat. Nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi që e kemi, kam frikë që kurrë s'do të kemi liberalizim të vizave”, përfundoi Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Analistët politik kërkojnë nga Qeveria në ardhje e Kosovës, që pas vendimit të BE-së për mos fillimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, të mos nxitohet shumë në bisedimet me Serbinë për arritjen e një marrëveshje finale, duke rrezikuar edhe bërjen e ndonjë kompromisi në dëm të interesit të Kosovës.

Këtë qasje me më shumë rezervë ndaj këtij procesi, e arsyeton analisti politik, Faik Krasniqi, sipas të cilit, sidomos në vitin e fundit ku ka mungesë uniteti në vendim marrje dhe mungesë konsensusi.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi thotë se Kosova e ka një përvojë të hidhur dështimi në raport me BE-në, sidomos kur ishte premtimi për liberalizim të vizave nëse do të arrihej marrëveshja me Malin e Zi për demarkimin e kufirit.

“Evropa gjithmonë ka qenë mashtruese, sidomos kur kanë qenë në pyetje shqiptarët. Nëse diku është shpikur gënjeshtra, atëherë lirisht mund të themi se gënjeshtra është shpikur në Evropë. Edhe krijesa e quajtur Bashkimi Evropian, nuk është gjë tjetër veç se gënjeshtër”, tha analisti politik Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, janë dy shtyllat kryesore mbështetëse për Kosovën në botën demokratike, një në Evropë dhe tjetër në botën tej oqeanike, dhe vetëm sipas instruksioneve të këtyre dy shtyllave-shtete, mundemi dhe duhet të ecim përpara. 

“Shteti i vetëm që është serioz brenda këtij blloku është Gjermania, një shtet ynë mik dhe aleat i sinqertë. Kosova s'ka pse t'i beson Evropës rreth bisedimeve. E dimë fare mirë sjelljen e Evropës karshi Kosovës gjatë bisedimeve me Serbinë. Për Serbinë nënë, kurse për Kosovën njerkë. Sidomos dyshja Mogherini-Hahn. Prandaj s'mund të presim diçka të mirë nga kjo Evropë, sepse siç na gënjeu për liberalizim të vizave, mund të na gënjen edhe për marrëveshje me Serbinë. SHBA është shteti i vetëm në botë që ne shqiptarët mund të kemi besim, edhe pse me administratën Trump gjërat diç kanë ndryshuar”, tha analisti Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

E sa i përket liberalizimit të vizave nga BE-ja, analisti Krasniqi thotë se ky proces tani varet nga mençuria e veprimit prej qeverisë së re të Kosovës.

“Qeveria e re e Kosovës e ka një kartë që duhet ta shfrytëzoj për liberalizim të vizave. Ne e heqim taksen ndaj Serbisë, kurse ju na i hiqni vizat. Nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi që e kemi, kam frikë që kurrë s'do të kemi liberalizim të vizave”, përfundoi Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)