LDK zbulon detajet e takimit me ambasadorin amerikan

  • 28 October 2019 - 16:39
LDK zbulon detajet e takimit me ambasadorin amerikan

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi për media ka njoftuar për takimin e nënkryetarëve Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Sipas LDK-së, gjatë këtij takimi është diskutuar për situatën aktuale politike në vend dhe bisedimet ndërmjet LDK-së dhe VV-së për formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e tetorit 2019.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdimisht shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë për mbështetjen që i kanë dhënë SHBA-ja Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas njoftimit nga LDK-ja, Osmani gjatë takimit ka diskutuar për prioritetet e LDK-së në institucionet e ardhshme, në veçanti për zhvillimin ekonomik, procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe sundimin e ligjit dhe ka potencuar rëndësinë e bashkërendimit të qëndrimeve me partnerët tanë, SHBA-të dhe Bashkimin Evropian.

“Kosnett inkurajoi LDK-në të vazhdojë qasjen konstruktive në proceset e Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të LDK-së.

Në takim të pranishëm ishin edhe anëtarët e Kryesisë, Kujtim Shala dhe Besian Mustafa.

(Kosova Sot Online)