Tërmet i fuqishëm, dy të vdekur e dhjetëra të lënduar

  • 29 October 2019 - 09:55
Tërmet i fuqishëm, dy të vdekur e dhjetëra të lënduar

Një tërmet prej 6.6 ballësh të Rihterit është regjistruar të martën në ishullin jugor të Mindanao-s në Filipine. Autoritetet njoftuan se së paku dy njerëz kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar.

Dridhja e tokës ndodhi rreth orës nëntë të mëngjesit sipas kohës lokale, duke shkaktuar çarje të mureve të ndërtesave dhe shembje të pjesshme të disave prej tyre. Policia njoftoi se një burrë 66 vjeç dhe një nxënës 15 vjeç kanë vdekur pasi janë zënë nga rrënojat.

“Tërmeti ishte shumë i fuqishëm. Vrapuam për të dalë nga shtëpia. I shikoja shtëpinë dhe dyqanin dhe ato dukeshin sikur po vallëzojnë. Ende po më dridhen gjunjët”, tha Abi Agduma, pronare e një dyqani në Mindanao.

Sara Duterte, kryetare e qytetit Davao, i cili u godit nga tërmeti, tha: “Janë duke u bërë inspektime dhe zyra për rrezikun nga fatkeqësitë është duke e kontrolluar gjendjen e rrugëve dhe të urave”.

Disa shkolla në këtë rajon e kanë ndërprerë procesin mësimor, ndërsa zyrtarët thanë se janë duke e përcjellë situatën për t’i vlerësuar dëmet.

Filipinet goditen shpesh nga tërmetet për shkak se shtrihen në të ashtuquajturën “Unazë e zjarrtë”, e cila është hapësira me aktivitetin më të lartë sizmik në botë.

Para dy javësh, ky shtet u godit nga një tërmet prej 6.3 shkallësh, nga i cili vdiqën 16 persona, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)