Ushtria amerikane varros trupin e Baghdadit në det

  • 29 October 2019 - 13:03
Ushtria amerikane varros trupin e Baghdadit në det

Trupi i liderit të organizatës terroriste “Shteti Islamik”, Abu Bakr al-Baghdadi, është “varrosur” në det nga ushtria amerikane vetëm pak orë pas vdekjes së tij.

Sipas gjeneralit amerikan Mike Milley, gjymtyrët e tij që i kanë shpëtuar shpërthimit, janë varrosur në det dhe gjithçka është kryer me kujdes dhe sipas ligjeve.

“Gjymtyrët e tij janë varrosur në det në mënyrën e duhur”, ka shtuar gjenerali amerikan.

Edhe pse nuk janë dhënë detaje për këtë, mediat botërore raportojnë se varrimi i tij është kryer në mënyrën e njëjtë sikurse në rastin e Osama Bin Laden.

Duke folur për dëshmitë për likuidimin e liderit të ISIS-it, gjenerali premtoi se do të publikojë fotografi dhe video të operacionit ushtarak në momentin që ato cilësohen si të deklasifikuara.

Ai gjithashtu shtoi se forcat speciale në Idlib kanë arrestuar dy persona që tani janë nën juridiksionin e SHBA-ve. Milley pranoi se gjatë operacionit ushtarak janë sekuestruar disa materiale, duke refuzuar të zbulojë detaje.

Gjenerali tha se Washingtoni gjatë kohës sa po zhvillohej operacioni ishte koordinuar me ushtrisë e vendeve tjera, kurse presidenti amerikan Donald Trump menjëherë kishte njoftuar opinionin se është likuiduar Baghdadi në Siri. 

(Kosova Sot Online)