Vjen paralajmërimi: Ja ‘patatja e nxehtë’ që do t’ia djeg dorën Albin Kurtit

  • 29 October 2019 - 14:27
Vjen paralajmërimi: Ja ‘patatja e nxehtë’ që do t’ia djeg dorën Albin Kurtit

“Pra rreziku është tepër serioz, ka një vit që ka filluar me këtë proklamim se Telekomi është gati për të bankrotuar andaj, sepse si ministria po ashtu edhe drejtori, e mbajnë një linjë politike tërësisht të inkriminuar dhe ata nuk shtyhen për interesa të ndërmarrjes, por për interesa të tyre personale. Qeveria e re në ardhje duhet të ndërmerr masa urgjentë për të provuar që të sanohet gjendje në këtë ndërmarrje dhe ti nënshtrohet procesit normal të ristrukturimit për privatizim dhe të shpëtohet nga falimentimi”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë vazhdojnë ta shohin si problem serioz të mbetur nga mandati i qeverisë së PAN-it çështjen e Telekomit të Kosovës, një ndërmarrje e rëndësishme publike nga dividenta e së cilës me vite të tëra ka marr ‘infuzion” buxheti i shtetit të Kosovës, por që me kalimin e kohës, kjo ndërmarrje u zhvat, u shkatërruar për pasojë të kontratës kriminale me Z-Mobile, dhe më pastaj politika ia ktheu shpinën duke e shfrytëzuar vetëm për punësimin e militantëve të vetë.

Analisti politik, Bislim Aliu tha për “Kosova Sot Online” se është një shqetësim serioz deklarimi i Kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi i cili ka thënë se njerëz përbrenda kësaj ndërmarrje po bëjnë shantazhe nga më të ndryshmet për ta vazhduar rrënimin e Telekomit, duke e akuzuar edhe ministrinë në detyrë të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka se si ka shpall luftë kësaj ndërmarrje, përmes deklarimeve publike se Telekomi është buzë falimentimit, duke e lënë atë tërësisht pa asnjë mbështetje institucionale.

Image
Bislim Aliu

“Është e vërtetë se shkuarja e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme, vetëm sa i ka shtuar problemet e pa zgjidhura në këtë ndërmarrje, dhe sigurisht që problemet e trashëguara në Telekomin e Kosovës, do të jenë një test serioz për qeverinë e re të Kosovës, në funksion të ruajtjes së aseteve publike nga tendencat për zhvatje dhe shkatërrim. E kur jemi para kësaj situate, duhet të merret shumë seriozisht edhe deklarimi alarmues i krye shefit të Telekomit të Kosovës Bedri Istrefi i cili tregon se si aty është një grup njerëzish që veprojnë qëllimisht për të shantazhuar kolegët e tyre brenda stafit, të cilët janë të përkushtuar ta nxjerrin nga kriza dhe rreziku i falimentimit këtë ndërmarrje”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Aliut, akoma më serioz është shqetësimi i ngritur, derisa për shantazh dhe veprim shkatërrimtar akuzohet edhe ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

“Kjo është tepër serioze dhe e pa tolerueshme nëse vërtetë qëndron pohimi se ministri në detyrë i paska shpallë luftë direkt kësaj ndërmarrje, stafit të saj, përmes deklarimeve publike se kjo ndërmarrje, është buzë falimentimit dhe se nuk ka shpëtim as rrugëdalje tjetër, duke e lënë tërësisht pa asnjë mbështetje institucionale dhe vetëm në mëshirën e fatit”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Analisti Aliu thotë se tani mbetet obligim serioz i qeverisë së re në ardhje, që të gjej zgjidhjen shpëtimtare nga falimentimi i kurdisur ndaj Telekomit, sepse në mandatin e kaluar institucionet e Republikës së Kosovës, nuk kanë bërë asgjë në mbrojtje të kësaj ndërmarrje. 

Analisti Aliu thotë se edhe kupola drejtuese Telekomit, e lidhur me politikën, është vendosur në shërbim të saj, dhe ka rrezik që ta shtyjnë shpejtë në falimentim, para se të formohet qeveria e re e Kosovës.

“Pra rreziku është tepër serioz, ka një vit që ka filluar me këtë proklamim se Telekomi është gati për të bankrotuar andaj, sepse si ministria po ashtu edhe drejtori, e mbajnë një linjë politike tërësisht të inkriminuar dhe ata nuk shtyhen për interesa të ndërmarrjes, por për interesa të tyre personale. Qeveria e re në ardhje duhet të ndërmerr masa urgjentë për të provuar që të sanohet gjendje në këtë ndërmarrje dhe ti nënshtrohet procesit normal të ristrukturimit për privatizim dhe të shpëtohet nga falimentimi”, përfundoi analisti, Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)