Pas protestave masive, jep dorëheqje kryeministri i Libanit

  • 29 October 2019 - 15:39
Pas protestave masive, jep dorëheqje kryeministri i Libanit

Kryeministri i Libanit, Saad Hariri, njoftoi të martën se do ta dorëzojë dorëheqjen pas dy javësh me protesta masive kundër qeverisë së tij, të cilat kohë pas kohe u bënë të dhunshme.

Ai tha se vendi ndodhet në një bllokadë dhe ka nevojë për këtë vendim që ta tejkalojë krizën në të cilën është futur.

Protestat kishin nisur fillimisht kundër vendosjes së taksës për thirrjet në apikacionin “WhatsApp”, por më vonë protestuesit i shtuan kërkesat, përfshirë luftimin e korrupsionit politik dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike

Këto protesta kishin bërë që bankat në tërë vendin të mbyllen për dhjetë ditë. Përpos tyre, shumë zyra, shkolla dhe universitete gjithashtu janë mbyllur për shkak të trazirave.

Kundër protestuesve ishte grupi i Hezbollahut, i cili kishte kërkuar nga kryeministri Hariri që të mos japë dorëheqje.

Të martën, disa përkrahës të këtij grupi e shkatërruan një kamp protestash në Bejrut, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)