Rritja e nivelit të detit do t’i rrezikojë shtëpitë e 300 milionë njerëzve

  • 30 October 2019 - 09:02
Rritja e nivelit të detit do t’i rrezikojë shtëpitë e 300 milionë njerëzve

Sipas një studimi të ri, njerëzit janë tri herë më të rrezikuar nga rritja e nivelit të detit tash sesa në të kaluarën.

Toka që tash për tash është vendbanim i 300 milionë njerëzve do të vërshohet së paku një herë në vit duke nisur nga viti 2050, nëse nuk zvogëlohet në masë të konsiderueshme lirimi i gazrave të karbonit dhe nëse nuk shtohen masat për mbrojtje nëpër bregdet. Kjo shifër është shumë më e madhe se numri prej 80 milion njerëzve të rrezikuar, siç vlerësohej më parë. Ky studim u publikua në revistën “Nature Communications”.

Ky hulumtim është i mbështetur në një vlerësim më të sofistikuar të topografisë së bregdetit në tërë botën. Në modelet e mëparshme janë përdorur të dhënat satelitore, të cilat besohet se e kanë mbivlerësuar lartësinë mbidetare të tokës për shkak të ndërtesave të larta dhe bimëve. Në studimin e ri për këtë çështje u përdor inteligjenca artificiale, e cila i përmirëson këto gabime në vlerësim.

Shkencëtarët thanë se dallimi që u zbulua përmes këtij studimi ishte shokues për ta. “Ky vlerësim e dëshmon potencialin që ndryshimi i klimës e ka për t’ua ndërruar formën qyteteve, ekonomive, bregdeteve dhe tërë rajoneve botërore brenda periudhës sonë kohore”, tha Scott Kulp, udhëheqës i këtij hulumtimi.

Ndryshimet më të mëdha nga rritja e nivelit të detit pritet të shfaqen në Azi, ku jeton pjesa më e madhe e popullsisë botërore. Numri i njerëzve që do të rrezikohen nga vërshimet në Bangladesh në vitin 2050 do të tetëfishohet, në Indi do të shtatëfishohet, ndërsa në Kinë do të trefishohet, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)