Greta Thunberg e refuzon një çmim prej 47 mijë eurosh

  • 30 October 2019 - 09:18
Greta Thunberg e refuzon një çmim prej 47 mijë eurosh

Aktivistja suedeze për mbrojtjen e klimës, Greta Thunberg, e ka refuzuar pranimin e një çmimi për mjedisin, duke thënë se lëvizja për mbrojtjen e klimës ka nevojë që njerëzit në pushtet ta dëgjojnë shkencën, e jo të marrë çmime.

Nxënësja e famshme, e cila i ka frymëzuar miliona njerëz që të protestojnë kundër ndryshimeve klimatike, u nderua në një ceremoni të mbajtur në Stokholm nga Këshilli Nordik, një organ rajonal për bashkëpunim mes parlamenteve.

Ajo u nominua për këtë çmim nga autoritetet suedeze dhe norvegjeze dhe u shpall fituese e çmimit vjetor për mjedisin, të cilin e ndan kjo organizatë.

Megjithatë, pas marrjes së lajmit, një përfaqësues i aktivistet tha se ajo nuk do ta pranojë çmimin prej 350 mijë kronave daneze, të cilat janë të barasvlershme me rreth 47 mijë euro.

Më vonë, vetë Greta tha përmes rrjetit social, Instagram, se nuk do ta pranojë çmimin. “Lëvizja për mbrojtjen e klimës nuk ka nevojë më për çmime. Ajo që kemi nevojë është që politikanët dhe njerëzit me pushtet ta dëgjojnë shkencën”, shkroi ajo.

Ndonëse i ka vetëm 16 vjet, Greta Tunberg u bë e famshme pasi kishte filluar të protestonte çdo të premte para kuvendit të Suedisë në gusht të vitit të kaluar, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)